AKTUALITET, 9 Gusht 2024, 09:27

Si e njoha të fortin e Tiranës, Gaz Muça në stadiumin e Barit, në 1991-shin!

Si e njoha të fortin e Tiranës, Gaz Muça në stadiumin e

Bexhet Braho, emigrant shqiptar në Itali, ishte i ftuari i radhës në rubrikën “Kjo është jeta ime” të emisionit “Shqip” nga Rudina Xhunga në “Dritare TV”. Ai tregoi jetën e tij, se si emigroi në Itali në vitin e largët 1991 me anijen e famshme “Vlora”.

Ai tregon vështirësitë që kaloi që nga nisja e anijes “Vlora” nga Durrësi në 7 gusht 1991 deri në arritjen në tokën italiane, ku i futën brenda në stadiumin e Barit, aty ku njohu edhe të “fortin” e rrugës Bardhyl në Tiranë, Gaz Muçën.

Bexhet Braho tregon se si Gaz Muça krijoi bandën e tij aty brenda në stadium dhe terrorin që i bëri njerëzve që ndodheshin aty.

“Ishte gusht 1991 dhe me anijen “Vlora” që u nis nga Durrësi, 19 mijë shqiptarë mbërritëm në Bari dhe pasi zbritëm nga anija na morën me autobus dhe na çuan në stadiumin e Barit. stadiumi i mbush plot dhe aty erdhën policia italiane dhe kryqi i kuq. Aty në filluam të rebeloheshim, aq sa u detyruan karabinierët të lënë stadiumin dhe të ikin dhe na lanë në mëshirë të fatit dhe nuk na dhanë as për të ngrënë dhe as për të pirë, por ditën tjetër filluan të na i hidhnin ushqimet me helikopter nga lart brenda në stadium.

Aty ndodhi e çuditshmja pastaj sepse ishte një grup nga Tirana, Gaz Muça që njihet si i forti i Tiranës. Aty në stadium ai krijoi një bandë prej 50-60 vetash dhe ata prisnin helikopterin që hidhnin ushqimet dhe bëheshin bashkë dhe i merrnin të gjitha ushqimet për vete, të tjerët nuk kishin guximin të shkonin të merrnin ushqimin sepse i rrethonin ata dhe i merrnin ata të gjitha ushqimet. Aty në stadiumin e Barit e krijuam një Shqipëri të vogël. Më vonë ndodhi ajo që nuk pritej pasi kjo banda e Gaz Muçës u organizua akoma më mirë dhe po bënin gjëra të papëlqyera pasi aty në stadium kishte edhe çifte të martuarish, njerëz në moshë të mesme, dikush kishte një unazë të bukur, varëse, orë dhe ata filluan t’i grabisnin këto.

Unë kisha një palë syze Rafaelo kishin ardhur nga Italia në 1988 dhe i kisha blerë në treg të zi në Tiranë, kisha edhe një orë elektronike dhe i ruaja me fanatizëm. Unë për fat të mirë i ndoqa si shokë atë grup dhe i ndiqja me vëmendje kur ata xhironin në stadium dhe sapo afroheshin spostoheshim nga ana tjetër dhe nuk donim përplasje me grupin e Gaz Muçës. Madje ky Gaz Muça bënte edhe shfaqje, se nga gjetën një makinë dhe kjo ishte e çuditshme, u fut makina brenda në stadium dhe Gaz Muça xhironte si i çmendur nëpër pistën e stadiumit të Barit, ngjante sikur këta ishin gladiatorët dhe skllevërit që ndiqnin shfaqjen, ishte një spektakël i tmerrshëm, një tragjedi. Madje mbaj mend që kur arritën në Bari dy djem të rinj u therën me thikë, vdiqën. ” u shpreh Bexhet Braho.