AKTUALITET, 16 Gusht 2022, 18:32

Rrufeja godet çatinë e banesës, shkrumbohet ndërtesa dykatëshe në Dimal

Rrufeja godet çatinë e banesës, shkrumbohet ndërtesa

Një banesë dy katëshe është djegur në fshatin Drenovicë në Dimal.

Shkak i zjarrit është bërë një rrufe e cila ka goditur çatinë e ndërtesës.

Menjëherë pas sinjalizimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar forcat e zjarrfikësve të Dimalit dhe në ndihmë të tyre janë nisur edhe dy mjete zjarrfikëse nga Berati, një nga Kuçova dhe një nga Rroskoveci.

Në momentin e rënies së zjarrit në banesën e dy vëllezërve Gramoz dhe Ferdinand Golemi, familjarët dhe fëmijët ndodheshin në katin e parë dhe të gjithë kanë dalë nga banesa pa lëndime, të ndihmuar edhe nga komshinjtë.

Zjarri u lokalizua dhe flakët e zjarrit tashmë janë shuar plotësisht por shtëpia ka pësuar dëme të mëdha, sidomos në katin e dytë që është djegur plotësisht.