AKTUALITET, 23 Maj 2023, 18:20

Rama bën bilancin e ‘14 Majit’: Ishte betejë e vështirë, por qytetarët zgjodhën punën

Rama bën bilancin e ‘14 Majit’: Ishte betejë e

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me grupin e këshilltarëve socialistë të zgjedhur më 14 maj në bashkinë Lezhë, nga ku theksoi se fitorja në Lezhë i kaloi pritshmëritë dhe kjo falë punës së bërë në këtë qark.

“Ka qenë një nga betejat e vështira, një nga 11 betejat e hapura që deri në fund i kisha me merak. Nuk dyshoja te puna jonë, por kjo është një zonë e vështirë. Kisha ndjesinë që këtu ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur, jo gjithçka kemi dashur. Po të kishim mundur, më shumë do të kishim bërë. Më mbante besimi që njerëzit do ta vlerësonin këtë dhe faktikisht kështu ndodhi. Për hir të së vërtetës, ishte një fitore që kaloi parashikimet”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi se fitorja erdhi edhe sepse u punua shumë në fushatë, ndërsa theksoi se dega e Partisë Socialiste në Lezhë është një nga degët më të organizuara. Kryetari i rizgjedhur në krye të bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu theksoi nevojën e mbështetjes nga ana e qeverisë për të vijuar me investimet në këtë zonë, të cilën ai e konsideroi si të jashtëzakonshëm në aspektin e asaj që ofron në turizëm.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e vlerësoi si shumë të rëndësishëm faktin që në Lezhë PS fitoi edhe numrin më të madh të këshilltarëve në këshillin bashkiak. “Është shumë i rëndësishëm këshilli bashkiak, pasi është parlamenti i Lezhës. Aty merren vendime për buxhetin, projektet edhe investimet në Lezhë. Ne presim të çojmë para investimet e nisura dhe të nisim investime të reja”, tha ai. Këshilli bashkiak i Lezhës ka gjithsej 41 këshilltarë, nga të cilët 26 përfaqësojnë PS-në.