TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas akuzave për vonesa dhe mungesë koordinimi në trajtimin e trupit të pajetë të Isa Rexhepajt, Prokuroria e Sarandës ka reaguar duke sqaruar veprimet e kryera pas gjetjes së kufomës në një depo të braktisur në zonën e Limjonit, Sarandë.
Sipas njoftimit zyrtar, trupi i pajetë i 65-vjeçarit u gjet mëngjesin e 18 korrikut, pesë ditë pasi ai kishte humbur kontaktet me familjen. Vëllai i të ndjerit ishte ai që zbuloi kufomën dhe njoftoi menjëherë policinë.
Prokuroria bën me dije se janë kryer të gjitha veprimet e para hetimore: këqyrja e vendit të ngjarjes, marrja e dëshmive dhe sekuestrimi i provave, ndërsa është urdhëruar edhe ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Fillimisht, kufoma është vendosur në morgun e Spitalit të Sarandës për veprimet paraprake, dhe më pas — sipas Prokurorisë — është transportuar po të njëjtën ditë drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë për autopsi.
Ndërkohë familjarët e të ndjerit kanë ngritur akuza për neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie institucionale. Ata pretendojnë se për ditë të tëra trupi nuk është lëvizur nga Saranda, duke nisur procesin e dekompozimit dhe duke penguar ceremoninë mortore.
“Prokuroria thotë e ka Policia, Policia thotë e ka Spitali, Spitali thotë e ka Policia. Nuk dimë kujt t’i drejtohemi,” u shpreh vëllai i viktimës për News24, ndërsa kërkoi që trupi të lirohet sa më parë për t’i dhënë të ndjerit nderimet e fundit.