TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, gjatë një interviste në media sot, foli rreth situatës së fundit në zonën e Thethit, ku janë ndërmarrë aksione për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Mazniku theksoi se shumica e ndërtimeve të paligjshme janë ngritur gjatë muajve të fundit, duke nënvizuar se legalizimet dhe faljet e gjobave nuk duhen interpretuar si leje për të ndërtuar në mënyrë të pakontrolluar.
“300 e kusur ndërtesa në Theth janë legalizuar me iniciativën e kryeministrit. Por kjo nuk është arsye që të ndërtohet në çdo hapësirë të mundshme. Premtimi për faljen e gjobave ka qenë i qartë, për një periudhë të caktuar, jo për vazhdimësi të paligjshmërisë”, tha Mazniku.
Ministri bëri të ditur se qeveria po zhvillon një plan specifik për Thethin, që synon ta kthejë atë në një destinacion turistik të standardeve të larta, pjesë e strategjisë më të gjerë të “Paketës së Maleve”, që mbulon të gjitha zonat malore të vendit.
“Synimi ynë nuk duhet të jetë të bëjmë 100 gjëra më shumë në Theth, por të krijojmë 100 Thethe të tjera në zona të ndryshme malore në Shqipëri. Kjo do të ndihmojë në shpërndarjen e turizmit dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, deklaroi Mazniku.
I pyetur nëse ka investitorë të huaj të përfshirë në ndërtimet në Theth, Mazniku u shpreh se nuk ka informacion për këtë dhe theksoi se prioritet i qeverisë është që zhvillimi duhet të vijë nga vetë banorët lokalë, të cilët duhet të përfitojnë drejtpërdrejt.
“Qëllimi ynë është që banorët të jenë përfituesit kryesorë të zhvillimit. Por ky zhvillim duhet të bëhet në përputhje me planet urbanistike, infrastrukturën, rrjetet e ujësjellësit dhe standardet mjedisore”, theksoi ministri.
Mazniku nënvizoi se institucionet do të vijojnë të jenë të kujdesshme për të garantuar që zhvillimi në zonat me vlerë të lartë natyrore të mos shkojë në kurriz të ligjshmërisë dhe qëndrueshmërisë mjedisore.