TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Hetuesit e ngjarjes së ndodhur në stacionin e karburantit “EIDA” në zonën e Brrylit në Tiranë ditën e djeshme (9 shtator), nuk kanë ende një konkluzion të qartë mbi shkakun kryesor që solli shpërthimin dhe shembjen e pjesshme të godinës.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje tre punonjësit e lënduar nga incidenti, dëshmitë e të cilëve kanë ndihmuar në ngritjen e tre pistave kryesore të verifikimit.
Sipas burimeve nga grupi i hetimit, tre punonjësit e dëmtuar kanë deklaruar se në momentin e shpërthimit ishin duke furnizuar me gaz një automjet në sheshin e pikës së karburantit. Ata kanë pohuar se nuk e kanë të qartë se si ka nisur incidenti, pasi gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave.
Megjithatë, ekspertët kanë fiksuar se pranë godinës që u dëmtua rëndë ndodhej edhe një bombol gazi, ‘çka ka shtuar dyshimet për një rrjedhje potenciale ose defekt të pajisjeve ndihmëse, informon “News 24”.
Aktualisht, hetimet po përqendrohen në tri pista konkrete teknike për të përcaktuar origjinën e zjarrit dhe të shpërthimit. E para lidhet me vetë automjetin që po furnizohej në ato momente, për të parë nëse ka pasur një defekt shpërthyes në sistemin e tij të gazit.
E dyta ka të bëjë me një avari të mundshme në vetë pompën e furnizimit të stacionit “EIDA”.
Pista e tretë përfshin verifikimin e bombolës së gazit të vendosur pranë godinës, për të zbuluar nëse ka pasur rrjedhje të gazit në mjedis që mund të jetë ndezur nga ndonjë shkëndijë elektrike apo burim tjetër nxehtësie.