AKTUALITET, 18 Korrik 2025, 21:51

"Është ngritur komisioni me pesë anëtarë!"/ Pezullim i AKU-së? Denaj: Të gjithë inspektorët në “filtër”

"Është ngritur komisioni me pesë anëtarë!"/

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj komentoi sot aksionet qe kryhen në kuadër të përmirësimit të kushteve të sigurisë ushqimore. Në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” ajo theksoi se ka ardhur koha që inspektimet nuk mund të bëhen nga hiçi, por ato duhet të bazohen në të dhënat e sistemit, që reflektojnë prezencë risku.

Denaj tha se kontrollet në subjekte duhet të bëhen në mënyrë të dinjitetshme, ku komunikimi të ketë parësore, e shoqëror kjo dhe me paralajmërim për gjoba. Ajo theksoi se i gjithë personeli i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit do të kalojë në verifikim të plotë nga një Komision, i cili është ngritur tashmë dhe drejtohet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë.

Sipas saj, kjo “sitë” do të ndihmojë dhe Ministrinë e Bujqësisë për të parë se si duhen riorganizuar inspektoratet, me qëllim që t’i përgjigjen sfidave që kërkon siguria ushqimore.

"Nga 13 maji ka hyrë në fuqi “Ligji i Inspektoratit” dhe është një ligj shumë i rëndësishëm, i cili është aprovuar nga Parlamenti i Shqipërisë në shtatorin e vitit të kaluar. Deri në fund të vitit kemi detyrimin për të organizuar shumë elementë të mënyrë së si bëhet inspektimi në territor, duke marrë praktikat më të mira, por mbi bazë risku. Nuk mund të shkojë asnjë inspektor nëse të dhënat në sistem nuk tregojnë nëse ka një risk të shtuar dhe duhet shkuar me lajmërim, me këshillim dhe nëse masat nuk janë marrë , të vendosen gjoba", tha Denaj.

Sipas saj, këto janë praktikat ndërkombëtare dhe ky standardizim është në frymë të ligjit.

"Ne kemi marrë shumë ankesa, dhe jo vetëm tani. Kemi pasur probleme. Unë s’jam duke thënë se AKU nuk do ketë funksionet e kontrollit deri sa të bëhet Inspektorati Qendror i Ministrisë së Bujqësisë në raport me ushqimin, ku do bashkojë dhe pjesën e analizës së produktit final në treg, por edhe disa elementë të analizave që bëhen nga veterinaria, shërbimi i bimëve dhe i peshkimit.

Ka ardhur koha që inspektimi të bëhet jo vetëm në bazë të riskut, por të bëhet me dinjitet, por të bëhet në raport me komunikimin me biznesin, ku jo vetëm më ndërgjegjësimin, por edhe masat për t’u marrë nga biznesi të vendosen me afate kohore dhe të shkohet për këto afate kohore, të cilat kanë nevojë për të rritur nga ana e biznesit sigurinë ushqimore. Ne nuk mund të themi se kjo nuk është bërë totalit, por ka dhe praktika jo të mira", deklaroi ministrja.

Ajo theksoi se "kryeministri e bëri të qartë dhe në fjalën e tij ishte shterues në tre elementë: një inspektorat, i cili funksionon në bazë të riskut, ndikon në përmirësimin e sigurisë dhe i gjithë personeli do të kalojë në një vlerësim të profilit të analizës së punës që ka bërë nga secili nga një Komision i posaçëm, i ngritur tashmë, i drejtuar nga një përfaqësues nga Universiteti Bujqësor i Tiranës".

"Komisioni përbëhet nga pesë veta, tre janë nga UBT-ja dhe dy janë nga Ministria e Bujqësisë dhe ky komision do të marrë në analizë të gjithë punonjësit dhe do shikojë profilin e punës me CV, performancës, do vlerësojë eksperiencat më të mira apo jo të mira dhe do ndihmojë Ministrisë me një rekomandim  se cilat do ishin ato struktura që do duhet të riorganizohen ndryshe dhe në frymë të inspektoratit qendror", tha Denaj.