AKTUALITET, 18 Korrik 2025, 20:17

Priteshin vendime dhe për përfituesit e rindërtimit/ Debate në këshillin bashkiak të Durrësit, anëtarët e opozitës braktisin mbledhjen

Priteshin vendime dhe për përfituesit e rindërtimit/ Debate

Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak të Durrësit u ndërpre pa nisur, pasi këshilltarët e opozitës u larguan nga salla në shenjë proteste ndaj mosrespektimit të procedurës dhe afatit ligjor për dërgimin në kohë të materialeve nga ana e bashkisë.

Braktisja e mbledhjes nga këshilltarët e opozitës, në shenjë kundërshtimi ndaj përfshirjes në momentet e fundit të dy pikave shtesë në rendin e ditës, solli pasoja të menjëhershme në vijimin e mbledhjes ku pritej të miratoheshin një sërë projektvendimesh që lidhen me përfituesit nga programi i rindërtimit.

Në sallë mbetën vetëm 23 këshilltarë, ndërkohë që kuorumi minimal prej 26 anëtarësh nuk u arrit.

Kjo çoi në mbylljen e mbledhjes, pa u shqyrtuar asnjë nga çështjet e planifikuara. Nuk është hera e parë që mbledhjet e Këshillit Bashkiak në Durrës shoqërohen me tensione mes mazhorancës dhe opozitës.