AKTUALITET, 2 Korrik 2022, 14:49

Përplasja për vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj/ Të hënën Apeli shqyrton çështjen e bujshme të Salianjit

Përplasja për vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj/ Të

Në Gjykatën e Apelit Tiranë pritet të shqyrtohet të hënën e 4 korrikut një prej çështjeve më të bujshme, që lidhet me skandalin “Xhafaj”, ku në qendër ishte vëllai i ish -ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Por, ndonëse Geron alias Agron Xhafaj e ka përfunduar dënimin për trafik droge në Itali dhe sot shijon lirinë, ku u dorëzua nga vëllai i tij ministër në kulmin e skandalit dhe akuzave të forta për përfshirje në trafik droge, nga ana tjetër, deputeti demokrat, Ervin Salianji, do të përballet në gjykatë.

Gjyqtarja Edlira Petri në një kohë kur duhej të priste rishortimin e çështjeve, për shkak se në Apel janë emëruar gjyqtarë të rinj, ka vendosur të nxjerrë nga arkivat dosjen ndaj deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi, në një kohë që në gjykatë shqyrtohen ende çështje të 2017-ës.

Ervin Salianji është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg, por këtë dënim ai dhe Kryesia e Partisë Demokratike e konsideron politik. Në 9 vite opozitë Salianji është proceduar më shumë se 600 herë për protestat dhe reagimet e tij të forta në denoncime ndaj qeverisë.