AKTUALITET, 2 Korrik 2022, 11:30

“Bullizim politik në shkolla”, gjimnazisti denoncon mësuesit militantë nga selia e PD: Ftoj bashkëmoshatarët të protestojmë më 7 korrik

“Bullizim politik në shkolla”, gjimnazisti denoncon

Gjimnazisti Erdi Jorgoni nga selia e PD-së ka bërë një denoncim për disa mësues që sipas tij janë militantë, ndërkohë që i bëri thirrje bashkëmoshatarëve të tij që t’i bashkohen protestës së 7 korrikut.

Sipas adoleshentit në shkolla ka bullizim politik.

Reagimi i adoleshentit:

Unë jam Erdi Jorgoni, 17 vjeç, nga Durrësi

Jam këtu sot në këtë Foltore për të thënë se do t’i bashkohem protestës së Frontit të Shpëtimit kombëtar më 7 korrik, por jo vetëm kaq.

Vij për të thënë se unë jam një i persekutuar politik.

Edhe pse në moshë të re, edhe pse në vitin 2022, edhe pse në qytetin e Durrësit.

Në gjimnazin ku unë mësoj, për arsye të angazhimit dhe bindjeve politike të djathta, të mia dhe të familjes, jam bërë disa herë subjekt i bullizmit politik.

Këtë e kanë bërë mësuesit e mi, ata që duhet të ishin mentorët tanë.

Kjo vjen për një arsye: më shumë se arsimtarë ata janë militantë partiakë.

Kjo ka çuar në politizim të shkollës, në mediokritet të stafeve pedagogjike dhe në korrupsion të notës.

I ftoj të rinjtë durrsakë, dhe nga gjithë Shqipëria, t’i bashkohen protestës së 7 korrikut.

Kur rrezikohet liria e bindjes dhe e shprehjes rrezikohemi të gjithë.

Rrezikohet Shqipëria.