AKTUALITET, 2 Korrik 2022, 10:27

Meta kujton 2 korrikun e 1990-ës: Liria ndërtohet mbi guximin. Koha për të ndërtuar Europën në Shqipëri është tani!

Meta kujton 2 korrikun e 1990-ës: Liria ndërtohet mbi guximin. Koha

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar 2 korrikun e vitit 1990, ku disa mijëra shqiptarë hynë në mjediset e ambasadave perëndimore në Tiranë dhe kërkuan strehim politik për t’u larguar nga Shqipëria.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale Meta thekson se liria ndërtohet mbi guxim.

Postimi i Metës:

LIRIA NDËRTOHET MBI GUXIMIN!

Mirënjohje Ylli Bodinakut dhe të gjithë shqiptarëve, që në emër të lirisë, demokracisë dhe të një Shqipërie si gjithë Europa, thyen me heroizëm më 2 korrik 1990 izolimin e diktaturës për t’i dhënë vendit një drejtim të ri dhe të pakthyeshëm.
Rrugëtimi drejt Europës që nisi me guximin për të rrëzuar murin e Ambasadës Gjermane duhet përshpejtuar me vendosmërinë për të shkuar drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Ndërtimi i një të ardhmeje shumë herë më të mirë se tre dekadat që kaluan pas “Ngjarjeve të Ambasadave” garantohet vetëm nëse zbatojmë në mënyrë të vendosur reformat e kërkuara, rikthejmë llogaridhënien në çdo nivel dhe dëgjojmë zërin e qytetarëve nëpërmjet referendumeve.

Që kjo rrugë të jetë e shpejtë është vetëm në dorën tonë!

Koha për të ndërtuar Europën në Shqipëri është tani!