AKTUALITET, 27 Shkurt 2023, 23:34

“Nuk keni gënjyer njerëzit në këto 30 vite”/ Abilekaj tregon avantazhin në zgjedhje të ‘Lëvizjes Bashkë” dhe dy faktorë negativë

“Nuk keni gënjyer njerëzit në këto 30 vite”/
Fotomontazh Qori dhe Abilekaj

Analisti Enton Abilekaj tha në emisionin “Të Paekspozuarit” se një parti që është kundër establishmentit, siç e prezanton veten “Lëvizja Bashkë” nuk është asnjëherë e mirëpritur në një vend ku votat i numërojnë ata që votohen. Duke iu drejtuar Arlind Qorit, drejtues i “Lëvizjes Bashkë”, Abilekaj tha se faktori më i madh pozitiv që do të jetë në krah të partisë së re është që drejtuesit e saj nuk janë ata që kanë dalë këto 30 vite në televizor dhe kanë gënjyer njerëzit.

“Në Shqipëri, një parti që është kundër establishmentit është viktima, preja e sistemit dhe nuk është asnjëherë e mirëpritur. Shqipëria është i vetmi vend ku votat i numërojnë ata që votohen, është një sistem për ato parti që kanë qenë 30 vjet.

Ky sistem është i vështirë të prishet për shkak të mungesës së besimit total të palëve dhe të keqpërdorimit të institucioneve, si në rastin e “Lëvizjes Bashkë”.

Këta janë faktorët negativë që do të ndikojnë. Faktori më i madh pozitiv është që ju nuk jeni ata që keni dalë këto 30 vite në televizor dhe keni gënjyer njerëzit. Ju nuk jeni ato fytyra që njerëzit nuk duan t’i shohin më. Nëse ju e shfrytëzoni këtë dhe krijoni hapësirën për ta reflektuar te rezultati i votimit, se ky është problemi ngaqë kemi një sistem të korruptuar numërimi, atëherë do të ishte një rezultat shumë i mirë, do të ishte shpresë.

Ne, çdo parti që ka dalë e re, edhe brenda sistemit, kur ka premtuar se do të ndryshojë diçka, e kemi mbështetur, me shpresën se nga Tirana do të fillojë një lëvizje që do të rrëzojë këtë sistem mbytës që e ka kapur për fyti Shqipërinë”-tha Abilekaj.