AKTUALITET, 14 Qershor 2025, 15:21

Në kërkim për korrupsion, ekstradohet nga Zimbabve 42-vjeçari, Loran Dusha

Në kërkim për korrupsion, ekstradohet nga Zimbabve

Ekstradohet nga Zimbabve një 42-vjeçar. Në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar “The Wanted” u ekstradua Loran Dusha.

NJOFTIMI I POLICISE

Pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar 42 vjeç, lindur në Lushnjë.

42-vjeçari Loran Dusha ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera. Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.