AKTUALITET, 14 Qershor 2025, 12:53

"Të bëjë shqiponjën mbi zemër", babai shqiptar që humbi të birin në Greqi: Dua që zemra e djalit tim të shpëtojë një tjetër fëmijë

"Të bëjë shqiponjën mbi zemër", babai

Tragjedia që ndodhi pak ditë më parë në lumin Arahtho të Artës në Greqi, ku dy fëmijë humbën jetën pas mbytjes në ujë, ka prekur thellë opinionin publik në të dy anët e kufirit. Kleoni, një 12-vjeçar shqiptar, dhe Spiros, 14-vjeçar grek, nuk mundën të mbijetonin pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalin e Rios në Patra.

Shokët e tyre kanë vendosur lule dhe mesazhe prekëse në brigjet e lumit, me fjalë që pasqyrojnë dhimbjen dhe nderimin për humbjen: “Do ju kujtojmë gjithnjë, ikët si heronj. Shoqëria.”

Në një akt të rrallë humanizmi dhe dinjiteti, fillimisht prindërit e Spiros vendosën të dhurojnë organet e të birit. Pak më pas, të njëjtën vendim morën edhe prindërit shqiptarë të Kleonit, duke kthyer tragjedinë në një simbol shprese dhe jete për fëmijë të tjerë që presin një mundësi për të jetuar.

Babai i Kleonit, mes dhimbjes së thellë, shprehu mirënjohjen për shtetin grek dhe mjekët që luftuan për jetën e të birit:

“Djali im iku nga kjo jetë, e mori Zoti, por zemra e tij mbeti në Greqi. Dua që ajo t’i jepet një fëmije tjetër dhe të vazhdojë jetën që do bënte djali im.”
Mes lotësh dhe emocioneve të forta, ai shtoi një dëshirë të veçantë:

“Kur të mësojmë se kush e mori zemrën e djalit tim, dua që ai ose ajo të bëjë mbi zemër shqiponjën e Shqipërisë.”
Edhe nëna e Kleonit shprehu falënderime të përzemërta:

“Gjithë mjekët bënë të pamundurën, por nuk e shpëtuan dot. Ju faleminderit shumë.”
Ndërkaq, drejtori i Reanimacionit në spitalin Rio, Andreas Iliadhis, i emocionuar, tha:

“Kleoni i vogël dhe Spiros, aty pranë në shtretërit e reanimacionit, sot hapin flatrat e tyre. Japin jetë tek shumë fëmijë të tjerë. Zemrat, përfundimisht… nuk kanë ngjyrë.”
Babai i Kleonit gjithashtu falënderoi emigrantin shqiptar Letian Gega, nga Berati, i cili u hodh në lumë për t’i shpëtuar fëmijët:

“Ai bëri gjithçka për t’i nxjerrë. Faleminderit që u mundove ta shpëtosh djalin tim, edhe pse Zoti e deshi pranë vetes.”
Ky akt i rrallë i prindërve shqiptarë ka marrë një vëmendje të madhe në mediat greke, jo vetëm për humanizmin, por edhe për solidaritetin ndërkombëtar që tejkalon çdo kufi kombëtar.