AKTUALITET, 14 Qershor 2025, 13:05

Rreziku nga murtaja, arrestohet një person në Kapshticë pasi tentoi të fuste bagëti pa dokumentacion

Rreziku nga murtaja, arrestohet një person në Kapshticë pasi

Një shtetas është arrestuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës pasi tentoi të fuste në territorin shqiptar disa bagëti të imta pa dokumentacionin përkatës shoqërues.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia Kufitare, shtetasit me inicialet K.F. iu gjetën në automjet disa dele të transportuara në mënyrë të paligjshme. Bagëtitë janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar autoriteteve veterinare për analiza të detajuara, me qëllim verifikimin e pranisë së mundshme të sëmundjeve infektive, përfshirë edhe murtajën e bagëtive të imta.

Shtetasi u arrestua nën akuzën për "kontrabandë me mallra të licencuara", ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse kemi të bëjmë me një rrjet të organizuar të transportit të paligjshëm të bagëtive.

Masa vjen në një moment të rritjes së vigjilencës nga autoritetet shqiptare, pas konfirmimit të një rasti murtaje në një fermë në fshatin Shuec të Devollit. Si pjesë e masave parandaluese, Shërbimi Veterinar Rajonal i Korçës ka ndaluar çdo lëvizje dhe shtegëtim të bagëtive të imta në një rreze prej 3 kilometrash nga vatra e infeksionit.

Po ashtu, është pezulluar përkohësisht edhe tregtimi i dhenve dhe dhive në pazaret e gjësë së gjallë në qarkun e Korçës, ndërkohë që kontrollet janë intensifikuar në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar të zonës.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe fermerëve që të bashkëpunojnë për të shmangur përhapjen e sëmundjes dhe të ndjekin rigorozisht udhëzimet e autoriteteve veterinare.