AKTUALITET, 14 Qershor 2025, 12:27

PD akuzon: Votimi në diasporë i organizuar në dyqane duhani, Celibashi nuk jep shpjegime

PD akuzon: Votimi në diasporë i organizuar në dyqane duhani,

Partia Demokratike ka ngritur sot akuza të forta ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me mënyrën e zhvillimit të procesit të votimit për shqiptarët në diasporë, duke e quajtur atë një farsë që ka cënuar integritetin e procesit.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se zarfet për votën e diasporës në Greqi janë shpërndarë dhe dorëzuar në dyqane duhani dhe ambiente të tjera të papërshtatshme, jo në qendra zyrtare postare apo të sigurta. Sipas saj, qytetarë shqiptarë që votuan në Greqi kanë dërguar foto dhe dëshmi që konfirmojnë këtë praktikë të dyshimtë.

“Ky ishte procesi ‘model’ sipas z. Celibashi, ku adresat e qytetarëve ishin nëpër 'tabachino' dhe zarfet tërhiqeshin e dorëzoheshin aty,” tha Vangjeli me ironi, duke iu referuar deklaratës së kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili më 10 qershor deklaroi se votimi nga jashtë ishte organizuar në mënyrë të rregullt dhe të suksesshme.

PD theksoi se kontrata e lidhur me kompaninë DHL parashikonte kushte të tjera për dorëzimin e fletëve të votimit, dhe se skenat e publikuara bien ndesh me termat kontraktualë. Ndërkohë, nuk ka ende një shpjegim pse nuk janë paraqitur prova për dorëzimin e zarfeve tek çdo votues në vende të tjera si Italia, SHBA apo Britania e Madhe.

“Zoti Celibashi duhet ta dijë se përgjegjësia e KQZ-së nuk përfundon me përzgjedhjen e operatorit dhe nënshkrimin e kontratës, por përfshin gjithashtu mbikëqyrjen e zbatimit të saj dhe menaxhimin e fondeve publike,” shtoi më tej Vangjeli.

Ajo kërkoi që KQZ të marrë masa konkrete ndaj shkeljeve të pretenduara dhe të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga kontrata dhe legjislacioni përkatës.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Në konferencën për shtyp të datës 10 Qershor Kreu i KQZ z. Ilirjan Celibashi u prononcua pa asnjë lloj droje se procesi i votimit nga jashtë është zhvilluar në mënyrë model … dhe shpërndarja e zarfeve në shtetin grek nuk cënoi procesin për mënyrën si u organizua si dhe për integritetin e tij…

Zbatimi i kontratës nr.1358/20 datë 4 Prill 2025 së lidhur ndërmjet AK KQZ dhe Kontraktorit DHL kërkon zbatimin e kushteve tërësisht të ndryshme nga sa paraqitet në pamjet në vijim…

Fotot e sapondjekura kanë mbërritur në adresën tonë nga qytetarë që jetojnë në Greqi dhe votuan në këtë vend, të cilët deklarojnë se tërhoqën dhe dorëzuan zarfet me fletët e votimit në magazina ku shiten cigare e jo vetëm….

Ky ishte procesi model sipas z. Celibashi , ku adresat e qytetarëve janë nëpër “tabachino”, dhe zarfet tërhiqen e dorëzohen në këto ambiente.

Këto sa i takon votimit në Greqi, ndërkohë akoma nuk kremi një përgjigje përse DHL nuk paraqet provat e dorëzimit të zarfit tek çdo votues në diasporë, në Itali, Shtetet e Bashkuara apo Mbretërinë e Bashkuar…

Sipas z. Celibashi përgjegjësia e KQZ përfundon te  përzgjedhja e operatorit me reputacion sa më të mirë me sa më pak para, si dhe ndërtimi i një kontrate të mirë e cila është ende në zbatim.

Zoti Celibashi duhet të jetë me dije se përgjegjësia e KQZ-së fillon me procedurën e prokurimit, zbatimin e saj, lidhjen dhe implementimin e plotë e të suksesshëm të kontratës përfshirë mirëmenaxhimin e fondeve publike.

E meqenëse kontrata është ende në fazë zbatimi të marri masat e parashikuara në aktet ligjore dhe në kontratën respektive kundrejt përgjegjësve të dështimit të përmbushjes së detyrimeve kontraktuale …