AKTUALITET, 8 Gusht 2024, 16:18

Inflacioni i pandryshuar, Instat: Në korrik çmimet e konsumit mbeten të njëjta

Inflacioni i pandryshuar, Instat: Në korrik çmimet e konsumit mbeten

Rritja e çmimeve në vend është ndalur gjatë muajit korrik. Sipas të dhënave të Instat, inflacioni mbetet në shifrat më të ulëta të regjistruara që prej qershorit 2021 duke u pozicionuar në nivelin 2.1%.

Luhatje minimale janë shënuar në çmimin e ushqimeve që janë rritur me  më pak se 1% ndjekur nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” si dhe çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”.

Banka e Shqipërisë theksoi në daljen e fundit se Shqipëria tashmë e ka tejkaluar krizën e çmimeve ndërsa niveli i inflacionit mbetet poshtë objektivit  të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Në tetor 2022 inflacioni arriti nivelin më të lartë që nga 1998-a, me 8.3% e nxitur nga pandemia dhe nisja e konfliktit Rusi-Ukrainë. Ky është një sinjal që Banka e Shqipërisë mund të vijojë uljen e normës së interesit.

Aktualisht  norma bazë të interesit u ul me 0.25% duke e çuar në 3% nga 3.25%. Lehtësimi i politikës monetare është një stimul më shumë për ekonominë.

Sipas Bankës së Shqipërisë rënia e inflacionit gjatë tremujorit të dytë ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste shfaqen më të qëndrueshme.

Po ashtu një tjetër faktor është edhe ndikimi i kursit të këmbimit ku euro prej disa muajsh qëndron në kufijtë e 100 lekëve.

NIVELI I INFLACIONIT

Korrik 2024       2.1%

Qershor 2024     2.1%.