AKTUALITET, 8 Gusht 2024, 17:29

Babai i vrau nënën, ai e hodhi nga shkallët, burg 41-vjeçarit. Dëshmia në gjyq: Mendova se iu kishte bërë gjë fëmijëve, por...

Babai i vrau nënën, ai e hodhi nga shkallët, burg

Në Gjykatën e Sarandës është zhvilluar seanca për caktimin e masës së sigurisë për 41-vjeçarin Klementin Islamaj, i cili dyshohet se ka shtyrë babanë e tij 69-vjeçar, Hyso Islamaj duke i shkaktuar vdekjen, pasi ky i fundit i kishte vrarë më parë nënën, 66-vjeçaren Shano Islamaj.

Në gjendje shumë të rënduar psikologjike, Islamaj ka shpjeguar edhe njëherë para Gjyqtarit Fatmir Ndreu, kronologjinë e ngjarjes duke theksuar se kurrsesi nuk kishte qëllim t’i shkaktonte vdekjen të atit, Hysen Islamaj.

 “Jam i divorcuar dhe kam tre fëmijë nga dy martesa. Dy prej fëmijëve kishin një muaj që kishin ardhur në shtëpinë tonë. Kur dëgjova zhurmë nga shtëpia, se isha tek kafja, më thanë edhe fqinjë të mi, mendova se u kishte bërë gjë fëmijëve, por kur shkova aty pashë që kishte goditur mamanë me sopatë duke i hapur kokën. Pashë trutë e mamasë në tokë. Nuk e di se si u ndjeva në atë moment. Nuk kam dashur ta vras, thjesht e shtyva e u pengua”, -ka thënë Klementin Islamaj, i cili u la në burg.

Prokurorja e çështjes, Valbona Maja ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”, ndërsa avokati Merdan Nora ka kërkuar një masë më të lehtë sigurimi si “garancia pasurore”.