AKTUALITET, 10 Nëntor 2022, 23:27

Ministri Ulsi Manja vizitoi të burgosurit shqiptarë në Koridallos, të dënuarit: Turp, takoi vetëm dy shqiptarë jashtë burgut

Ministri Ulsi Manja vizitoi të burgosurit shqiptarë në
Mesazhi i të dënuarve dhe ministri Manja sot në Koridallos

Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, gjatë vizitës në Greqi, vizitoi sot burgun Koridallos, ku mbahen prej vitesh qindra të dënuar shqiptarë. Të burgosurit shqiptarë e kishin pritur me shumë interes këtë vizitë, sepse prej vitesh akuzojnë autoritetet greke për dënime të padrejta dhe keqtrajtime.

Gazetari shqiptar në Athinë, Shpëtim Zinxhiria, tha sonte se në telefonin e tij kishte ardhur një mesazh nga burgu Koridallos ku disa shqiptarë që vuajnë dënimin thonë se ministri nuk ka bërë takim me ta, por vetem me dy shqiptarë të dënuar jashtë në sallën e burgut. Pasi kanë folur me figurë dhe zë ata më në fund shkruajnë si më poshtë:

“Turp për ministrin e drejtësisë shqiptare që del në media dhe thotë se ka ardhur në burgun e Koridallos dhe thotë se ka takuar të burgosurit shqiptarë, kur në burgun e Koridallos janë më shumë se 400 shqiptarë që vuajnë dënimin. Ministri Manja ka arritur ditën e hënë, pas orës 15:30 në zyrat e burgut të Koridallos dhe ka takuar vetëm dy persona nga sektori “Delta” ku mbahen më shumë se 200 të burgosur shqiptarë dhe 2 të burgosur nga sektori “Gama”. Po e prisnim ministrin të takohej me të gjithë të burgosurit shqiptarë në Koridallo. Apo kishte frikë të na takonte? Është turp për ministrin Manja që erdhi deri në zyrë dhe nuk na takoi. Erdhi fshehurazi, siç erdhi ashtu dhe iku. Turp dhe për mediat që thonë se ministri takoi të burgosurit e Koridallos. Turp”-shkruanin të burgosurit e zhgënjyer nga mungesa e takimit me ministrin e Drejtësisë.