AKTUALITET, 10 Nëntor 2022, 22:31

“Rama rrëzohet me 50 mijë vetë”/ Sejamini tregon tre burimet financiare që shuajnë revoltën popullore

“Rama rrëzohet me 50 mijë vetë”/ Sejamini tregon tre
Neritan Sejamini dhe Edi Rama

Analisti Neritan Sejamini tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit se një revoltë popullore me 50 mijë njerëz për disa ditë radhazi do ta rrëzonte qeverinë e kryeministrit Rama, por modeli ekonomik që ka instaluar e shuan revoltën. 

“Me 50 mijë persona, pa parti politike, 1-4 ditë në protestë, Rama tronditet dhe po të vazhdojnë, ai rrëzohet. Çështja që duhet të diskutojmë ne është pse nuk dalin këta 50 mijë vetë? Sot pushteti kryesor i Ramës është ai ekonomik dhe është një farë paradoksi sepse opozita thotë se gjendja ekonomike do t’i ngrejë shqiptarët.

Rama ka kuptuar mirë një gjë: Duke lejuar paratë e krimit, siç janë këto projektet e ndërtimeve që janë futja e parasë së krimit në ekonomi, ekonomia shqiptare është e vogël. Po fute 200-300 milionë euro nga jashtë në vit krijohet mjaftueshëm mirëqenia, sepse me një pallat paguhet mjaftueshëm financieri, juristi,... është zinxhir.

Studimet ndërkombëtare thonë se në Shqipëri pastrohen 500-750 milionë euro në vit nga krimi. Një gjë që është harruar është se qeveria po merr shumë borxh dhe me anë të tij po financon projektet publike që më së shumti janë shpërndarje e parasë publike se sa ndërtim. Çmimet e larta të rrugëve janë para që shkojnë te njerëzit përmes biznesmenëve, sepse paguhen rroga. Janë rritur edhe të ardhurat nga emigrantët sepse është rritur numri i emigrantëve në Gjermani. Pra ke tre burime ekonomike të jashtëzakonshme në një ekonomi të vogël: paranë e krimit, borxhin publik dhe të ardhurat nga emigrantët. Kjo gjë krijon një mirëqenie të mjaftueshme për të mos ngjallur revoltë popullore”-tha Sejamini.