TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga Eurojust, Agjencia e Bashkimit europian për bashkëpunimin gjyqësor, çoi në goditjen e një organizate kriminale e cila kishte ngritur një skemë investimesh mashtruese përmes qendrave të thirrjeve (Call Center) dhe platformave online, viktima të së cilës kanë qenë qindra mijëra qytetarë, kryesisht në vende të ndryshme të Europës.
Operacioni u realizua me pjesmarrjen e 10 shteteve, përfshirë Shqipërinë, ku u arrestuan 4 persona. Një tjetër i dyshuar u arrestua në Gjeorgji. Dëmi i llogaritur shkon në disa qindra milionë euro, ose sipas Eurojust, 50 milionë euro në tremujor.
Hetimet çuan në zbulimin e një grupi të krimit të organizuar (OCG) që besohet të jetë i përfshirë në investime mashtruese duke përdorur kriptovaluta. “Rrjeti kriminal përdori dhjetëra qendra telefonike në disa vende dhe qindra platforma online për të kryer mashtrimin”, bëri të ditur në një komunikatë Eurojust. Sipas hetimeve “të dyshuarit u paraqitën si ndërmjetës që do të ndihmonin investitorët të fitonin shuma të mëdha parash me investime të vogla. Në realitet, OCG i mashtroi viktimat duke fituar besimin e tyre në internet dhe duke ngritur profesionalisht qendra telefonike ose mënyra të tjera të të ashtuquajturës inxhinieri sociale. Kjo i inkurajoi viktimat të investonin nëpërmjet platformave të internetit, të kontrolluara nga organizata kriminale dhe më pas duke humbur shuma të mëdha parash”, shpjegoi Eurojust, duke vënë në dukje se “shkalla e hetimeve të ndjekura në këtë rast është e paprecedentë deri më tani. Qindra mijëra investitorë në të gjithë botën kanë rënë viktima të mashtrimit që të paktën që nga viti 2016”
Hetimet për mashtrimin kibernetik filluan në vitin 2018. Aktualisht shtatë vende kanë hapur çështje gjyqësore kundër OCG. Për realizimin e aksionit më 8 dhe 9 nëntor, Eurojust ngriti një qendër koordinimi për të mundësuar bashkëpunimin e shpejtë midis autoriteteve gjyqësore të përfshira. Si rezultat, u kontrolluan 15 qendra telefonike (6 në Shqipëri, 5 në Gjeorgji, 3 në Ukrainë dhe 1 në Maqedoninë e Veriut), si dhe objekte të tjera dhe 5 automjete. Konfiskimet përfshijnë mbi 500 pajisje elektronike (kompjuterë, laptopë, usb, disqe të ngurtë), më shumë se 340 000 euro para në dorë, disa telefona celularë, disa llogari bankare, portofole kriptomonedhash, prona, dokumente identiteti dhe karta bankare dhe qindra dokumente të tjera.
Siç bëri të ditur sot Prokuroria e Posaçme, në Shqipëri, operacioni, u shtri në Tiranë, Vlorë dhe Elbasan, ku u kontrolluan disa qendra thirrjesh të cilat ndryshonin shpesh vendndodhjen për të humbur gjurmët e aktivitetit të tyre të vërtetë. Bashkë me policinë shqiptare në operacion u angazhuan dhe përfaqësuesë të strukturave të policisë spanjolle. Përveç 4 të arrestuarve janë shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë të dyshuar si organizatorë. Janë rreth 300 pajisje kompjuterike, laptop, usb, hard disqe, të sekuestruara, si dhe portofole kriptovalutash në vlerën afërsisht 15.000 USD dhe cash 90.000 euro, apo dhe dokumente identifikimi të shtetasve lituaneze dhe gjeorgjiane, karta banke lituaneze.
Në Shqipëri që në vitin 2020 u rregjistrua një procedim penal, pas sinjalizimeve të marrë nga Spanja. Më pas gjatë vitit 2021 SPAK mori disa letërporosi në të cilat bëhej fjalë për subjekte shqiptare të cilat dyshoheshin si të përfshira në këtë aktivitet kriminal. /VOA