AKTUALITET, 17 Korrik 2023, 20:16

Java e 'ferrit' në Shqipëri, temperaturat do të shkojnë mbi 42 gradë

Java e 'ferrit' në Shqipëri, temperaturat do të

I gjithë territori i vendit edhe gjatë këtyre 24 orëve të fundit vijon të jetë i mbërthyer nga vala e të nxehtit me temperatura që në zona të caktuara kanë arritur mbi 40 gradë.

Qytetet që po përballen me temperaturat më të larta mbeten Berati dhe Elbasani, ku termometri edhe këtë të hënë kapi vlerat e 41 gradëve.

Por më e keqja nuk ka ardhur ende, sepse sinoptikanët parashikojnë gjatë kësaj jave 5 ditë shumë të nxehta.

“Vala e të nxehtit që ka përfshirë territorin shqiptar, do të sjellë gjatë kësaj jave 5 ditë shumë të nxehta ku parashikohet që deri ditën e mërkurë, temperaturat e ajrit të luhaten maksimumet në 40 apo 41 gradë Celsisus, ndërsa dita e enjte apo dita e premte do të sjellin temperatura 42 gradë Celsisus. Lehtësisht në zona të izoluara do të tejkalohet kjo temperaturë. Maksimumet do të shënohen në qytete si Berati, Elbasani, Gjirokastra, Tirana, Shkodra, Fier” – thotë meteorologu Hakil Osmani.

Sipas sinoptikanëve, kjo do të jetë një javë që do të sjellë temperatura deri në 10 gradë më të larta sesa temperaturat normale të muajit korrik. Megjithatë, fundjava pritet të sjellë një tërheqje të valës së nxehtë, çka do të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave.