AKTUALITET, 8 Gusht 2024, 12:12

Këlliçi nga protesta: Dy zhvillime tronditëse nxorrën zbuluar SPAK-un si organizatë e PS-së!

Këlliçi nga protesta: Dy zhvillime tronditëse nxorrën

Opozita ka dalë sërish në protestë para Bashkisë së Tiranës. 

Belind Këlliçi i falënderoi të pranishmit, ndërsa tha se dy zhvillime tronditëse të kohëve të fundit kanë nxjerrë zbuluar SPAK-un si organizatë partnere e PS-së. 

“Fakti që dilni dhe protestoni në mbrojtje të kësaj kauze, që ka të bëjë me mbrojtjen e qytetit të Tiranës, ju lartëson ju dhe lartëson edhe PD-në. Kjo protestë bëhet pa dallim partiak dhe është në shërbim të çdo qytetari të Tiranës sepse në fund të ditës, të gjithë vidhemi njëlloj.

Javët e fundit kanë ndodhur dy zhvillime tronditëse që e kanë nxjerrë SPAK zbuluar, ashtu siç është, si organizatë partnere e PS. Misioni i Dumanit është të shpëtojë Erion Veliaj dhe Edi Ramën nga ligji dhe burgu.

Mjafton video tronditëse e publikuar dje, falënderoj SYRI TV që tregoi videon ku shihet se natën që SPAK lëshonte urdhrat e arrestit për personazhet periferike të aferës së inceneratorit, ata darkonin në një nga restorantet më të shtrenjta në Vjenë.

Endrit Habilaj, Mirel Mërtiri, Mark Jaka dhe disa personazhe të tjerë i bënin karshillëk jo SPAK-ut, por çdo qytetari shqiptar duke çuar taksat tuaja te pjatat më të shtrenjta në botë.

Ato para që nuk i ka gjetur SPAK, do i gjejë grupi i ekspertëve të PD. Ne do denoncojmë çdo prokuror që mbron këtë grup të strukturuar kriminal.

Tashmë Erion Veliaj ka kaluar nga skema 5D në skemën 7S, me shtatë specialistë. Profetik ka qenë Pjetër Arbnori se këta nuk janë socialistë, por specialistë. Kanë hapur në Bullgari një kompani 7S, të cilën Dumani nuk është i zoti t’i gjejë këto dokumente. Më saktë, i ka këto dokumente, por kujdeset t’i zhdukë për të mbrojtur Erion Veliajn dhe kompaninë Gogël,” tha Këlliçi.

“Kushdo drejtor që mbron Erion Veliajn, të përgatitet për në qeli. Ata po i fut në burg Erion Veliaj vetë për të shpëtuar lëkurën e tij. Por harron se ka PD, e cila nuk bën kompromis.

Gjej rastin t’ju ftoj sërish si sot një javë në protestën e radhës. Erion Veliaj mos u lodh të çosh ushtarët e tu as në SPAK, as afër funksionarëve të opozitës, se koha kur opozita blihej e shitej ka marrë fund. Ti do marrësh faturën që të takon si një hajdut i damkosur në këtë qytet,” theksoi Këlliçi.