AKTUALITET, 3 Korrik 2022, 11:09

Fieri vijon me zbatimin e “Të dielës pa makina”, ja akset ku ndalohet qarkullimi i automjeteve

Fieri vijon me zbatimin e “Të dielës pa makina”, ja akset

E diela e tre korrikut që shënon edhe të dielën e parë të muajit, ka zbrazur qytetin e Fierit, jo vetëm pasi është dita pa makina, por për shkak edhe të temperaturave të larta.

Nisma për të lëvizur në këmbë vijon të zbatohet nga fierakët, të cilët në orët e para të para të mëngjesit kanë zgjedhur të lëvizin në këmbë.

Kështu nga ora 08:00 deri në orën 16:00, disa prej rrugëve kryesore të qytetit kanë kufizim të qarkullimit të automjeteve, me përjashtim të mjeteve të emergjencës (ambulancë, zjarrfikëse, Polici e Shtetit).

 BalkaWeb raporton se janë disa rrugët ku aplikohet ky kufizim.

-Rruga “Kastriot Muço” – nga kryqëzimi me rrugën “Mujo Ulqinaku” deri në sheshin “Nënë Tereza”.

-Rruga “Rauf Nallbani” – nga Sheshi “Nënë Tereza” deri në kryqëzimin me rrugën “Jakov Milaj”

-Bulevardi “Ramiz Aranitasi” – nga kryqëzimi me Rrugën “Vasil Peçuke” deri te Sheshi Europa

-Bulevardi “Jakov Xoxa” – nga Sheshi Europa deri në rrethrrotullimin e Sharrës

-Rruga Dervish Hekali – nga kryqëzimi me rrugën “Mujo Ulqinaku” deri në sheshin “Nënë Tereza”.

Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar këtë kufizim dhe për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të shfrytëzojnë qetësisht ambientet publike të qytetit, njëkohësisht të përmbushin detyrimet dhe nevojat e tyre.

Dhjetëra policë kanë zbritur në terren, ndërsa duket se edhe qytetarët janë mësuar tashmë me lëvizjen në këmbë.