AKTUALITET, 2 Korrik 2022, 23:26

Rama futi gazetarin në proces "riedukimi"/ Pollo thirrje gazetarëve: Bojkotoni konferencat e shtypit të kryeministrit!

Rama futi gazetarin në proces "riedukimi"/ Pollo thirrje
Genc Pollo

Genc Pollo ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, për përplasjen më të fundit që kryeministri Edi Rama pati me gazetarin Klevi Muka, të cilin e përjashtoi nga konferencat e ardhshme duke e futur në proces "riedukimi".

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD i bën thirrje shoqatave të gazetarëve dhe organizatave për lirinë e medias, që të reagojnë.

Gjithashtu, Pollo këshillon gazetarët të bëjnë grevë ndaj konferencave të kryeministrit, derisa Rama të anulojë dëbim-internimin e djeshëm.

Reagimi i Pollos: 

"Dëbim-Internimi" qesharak i një gazetari nga Kryeministri nuk mund të kalojë në heshtje nga organizatat e lirisë së medias dhe shoqatat e gazetarëve. 

Gazetari Klevi Muka pyeti rreth një çështjeje me interes publik të lartë e cila është objekt shqyrtimi në Kuvendin e Republikës dhe me gjasë në Gjykatën Kushtetuese. Pyetja e tij nuk synon të shkelë privatësinë apo dinjitetin e ministres; në rrethanat e njohura pyetja synon verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të ministres. 

Në mbrojtje të gazetarit Muka nuk lipset të jetë e vetme opozita si dhe opinioni shoqëror i paartikuluar. Në asnjë vend gjysëm normal në të pesë kontinentet kolegët e një "Klevi Muka" nuk do të pranonin një status quo. Më e pakta në këto raste është një grevë e konferencave të shtypit të Kryeministrit. Ose diçka tjetër më e fortë. Deri sa Rama të anullojë dëbim-internimin e djeshëm.