AKTUALITET, 2 Korrik 2022, 19:08

“Berisha nuk është opozita”, Bozo: Pas 30 vitesh, duhet t’i hapë rrugën të rinjve!

“Berisha nuk është opozita”, Bozo: Pas 30 vitesh, duhet
Luljeta Bozo, deputete

Deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo ka folur në emisionin “Kjo Javë” në News24 edhe për raportin që ka me kreun e PD-së, Sali Berishën dhe se çfarë mendimi ka për shpalljen e tij non-grata.

Edhe pse vetë është deputetja më e vjetër në Parlament, Bozo mendon se Berisha duhet t'ju hapë rrugën të rinjve.  

Sa i përket bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës, Bozo theksoi se ekziston, por sipas saj PD-ja duhet të bashkohet dhe të zgjidhë problemet e brendshme, ndërsa Berisha nuk përfaqëson i vetëm opozitën.

Nisida Tufa: Jeni deputetja më në moshë në parlament. Po kështu edhe zoti Berisha. Kur ju them këtë çfarë mendoni?

Luljeta Bozo: Se di është një rastësi. Nuk jemi takuar ndonjëherë se nuk na ka qëlluar rasti. Është një rastësi.

Nisida Tufa: Nuk komunikoni asnjëherë?

Luljeta Bozo: S’ka qëlluar rasti. Duhet të takohemi përballë dhe do e përshëndesja. Unë takohem me të gjithë, socialistë dhe demokratë.

Nisida Tufa: Keni marrëdhënie korrekte?

Luljeta Bozo: Po korrekte. Unë mendoj që kjo puna e moshës edhe bën edhe s’përbën problem kur je në Parlament. Ata kanë probleme me veten e tyre sepse s’po gjejnë dot akoma emëruesin e përbashkët. Janë akoma të përçarë dhe nuk po arrijnë të bashkohen.

Nisida Tufa: Si e shihni këtë situatë brenda Partisë Demokratike?

Luljeta Bozo: Shiko! Vjen një moment, ti mund të kesh qenë shumë i mirë një jetë të tërë, por vjen një moment që duhet t’i lësh vendin më të rinjve, ta çojnë më përpara. Domethënë nuk mund të jesh gjithë kohën në drejtim, nja 30 e ca vjet.

Nisida Tufa: Po PD-në me Bashën si e shikoni, mund të shkonte përpara me Bashën?

Luljeta Bozo: S’jam marrë shumë. Ja u thashë me politikë u mora për herë të parë kur u futa në Parlament.

Nisida Tufa: Është treguar e qartë PS-ja që nuk bashkëpunon me Berishën në krye të PD-së, me faktin e të qenit non-grata nga DASH. Po këtë raport si e shihni, nuk do i shtrihet dora opozitës me Berishën në krye në çfarëdolloj rrethane?

Luljeta Bozo: Jo me opozitën bashkëpunon pozita. Por me të gjithë ato gjërat. Por me çfarë bëhet parlamenti pa këtë bashkëpunim. Ne bashkëpunojmë, s’është puna këtu. Këtu s’ka një opozitë tamam, tamam. Nuk ka, e para. E dyta, e ka thënë shumë qartë se nëse është diçka që vjen me propozimin e tij nuk do ta marri në konsideratë. Po është tjetër Berisha është tjetër opozita, nuk duhet t’i bashkosh bashkë. Është tjetër Berisha dhe tjetër opozita. Opozita është një forcë, të gjithë ata që nuk kanë fituar zgjedhjet dhe që janë kritik ndaj kësaj qeverisje. Ata s’e kanë zgjidhur problemin mes tyre dhe kështu që duhet ta zgjidhin brenda vetes njëherë që të jetë një forcë se s’po merret vesh është një forcë apo dy.