AKTUALITET, 20 Qershor 2023, 21:20

Basha zyrtarizon farsën për kreun e ri të PD-së, depoziton kërkesën për të garuar në 29 korrik

Basha zyrtarizon farsën për kreun e ri të PD-së, depoziton
Lulzim Basha gjatë takimit me gratë, pak ditë më parë

Lulzim Basha ka depozituar kërkesën për t’u bërë pjesë e garës për kryetar të PD. Lajmi është konfirmuar nga burime pranë Komisionit Zgjedhor të ngritur pranë PD që do të merret me organizimin e zgjedhjeve.

Depozitimi i kërkesës nga Basha erdhi pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD që u mbajt gjatë ditës së sotme.

Zgjedhjet për kryetar të PD do të mbahen me 29 Korrik, ndërsa pritet që tashmë të nisë dhe fushata brenda partisë.

Por një pjesë e deputetëve bojkotuan sot Këshillin Kombëtar dhe njoftuan lëvizjen e radhës, duke bërë me dije përmes një deklarate, se do kontaktojnë individualisht secilin anëtar legjitim të Këshillit. Ata shprehen se mbledhja e sotme e Këshillit nuk rezulton legjitime, dhe se reagimi i tyre vjen për të mbrojtur PD.

“Duke nisur nga sot do të ndërmarrim iniciativën për të kontaktuar individualisht dhe vlerësuar vullnetin e secilit anëtar legjitim të Këshillit Kombëtar mbi situatën në Partinë Demokratike dhe do të vazhdojmë përpjekjet për forcimin e Partisë Demokratike, të bindur se aktet përçarëse, përjashtimet, njëanshmëria dhe nxitimi, nuk ndihmon në ringritjen e PD”, thuhet në deklaratën e bërë nga deputetët Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Saimir Korreshi.