AKTUALITET, 20 Qershor 2023, 17:47

Viktima në kampin Ashraf, Çuçi e mohon: Nuk ka ndërruar jetë nga dhuna e policisë. Presim ekspertizën

Viktima në kampin Ashraf, Çuçi e mohon: Nuk ka ndërruar

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi se i moshuari që humbi jetën sot në kampin Ashraf në Manzë, nuk ka humbur jetën nga dhuna e policisë. Ai tha se personi në fjalë ishte në moshë, konkretisht 79 vjeç, ndërsa shtoi se do të jetë ekspertiza ajo që do të tregojë shkakun e vdekjes.

“Për personin që ka ndërruar jetë, ju garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë dhunë e ushtruar nga policia. Po presim raportin e ekspertizës mjekoligjore. Nuk është prekur as edhe një anëtar me dorë në këtë kamp. Ka kamera edhe nga policia edhe nga ana e kampit, nuk është prekur asnjë anëtarë me dorë, asnjë!

Do presim ekspertizën mjekoligjore. Ai ishte një burrë i moshuar, 79 vjeç mos gaboj, kanë vdekje brenda kampit që ndodhin rëndom, sepse është një komunitet që po jeton dhe plaket aty, por do presim ekspertizën mjekoligjore. Unë jam i bindur sepse kemi pasur kujdesin për të mos krijuar asnjë incident por të zbatonim vendimin e gjykatës”, tha ai.