TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të sotëm para stafit dhe drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, ministrja e sapoemëruar Albana Koçiu deklaroi se detyrat e ngarkuara nga kreu i qeverisë do të realizoheshin.
Ajo pranoi problematikat e institucionit, të cilin Rama e cilësoi “të prapambetur” dhe që punon me “orare të tjera kohore” nga vendi.
“Janë emergjenca të kohës, janë probleme të drejta dhe unë së bashku me MB, ekipin e saj, do ngrihemi në lartësinë e punës dhe figurës, duke nisur me punonjësit publik, duke nisur nga ata këtu, për integritetin. Për funksione të rëndësishme që janë themelet e shtetit”, pranoi Koçiu, duke ndjekur të njëjtin diskurs si shefi i qeverisë.
Ajo i vuri në dukje të pranishmëve se vendi ndodhet në moment të rëndësishëm dhe ndaj detyrat e ngarkuara duheshin realizuar, duke deklaruar publikisht se ato do kryheshin sipas porosive të kreut të qeverisë.
“Duke pasur parasysh edhe momentin ku ndodhet vendi, Europa nuk është iluzion, por realitet i prekshëm, ndaj do çojmë para këto punë që kryeministri na ka ngarkuar dhe legjislacioni na detyron, e t’i çojmë para punët. Kjo ministri duhet të flasë pak dhe të punojë shumë, ndaj duhet të flasim sa më pak e t’i çojmë përpara punët. Të gjithë t’i tregojmë kryeministrit që po do t’ia dalim dhe do t’i kryejmë të gjitha detyrat që na ka ngarkuar”, përfundoi Koçiu fjalën e saj të shkurtër.
Në fund foli edhe ish-ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili e cilësoi privilegj dhe nder drejtimin e dikasterit për një vit, pavarësisht kritikave që kryeministri Rama i drejtoi institucionit.
“Falenderoj kryeministrit Edi Rama për vlerësimin dhe përgjegjësinë e lartë që më ngarkoi një vit më parë për detyrën e Ministrisë së Brendshme. Ishte jo vetëm nder, por edhe vlerësim. Kam hyrë 22 vite më parë në këtë ministri dhe largohem me privilegjin dhe nderin më të lartë si ministër i Brendshëm dhe deputet i Parlamentit”, tha ai.
Teksa në fund e mbylli me dy çështje të trajtuara gjatë këtij viti nga Policia dhe Ministria: Zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit dhe sezoni veror dhe turistik:
“Dua të ndalem te puna e mirë gjatë procesit zgjedhor, kjo ishte provë e rëndësishme edhe për mua, që e kaluam me sukses. Por edhe menaxhimi i sezonit veror, pa asnjë ngjarje kriminale, zero ngjarje kriminale, viti i dytë radhazi me këtë rezultat me një fluks të lartë turistësh”, përfundoi Hoxha.