AKTUALITET, 19 Shtator 2025, 11:52

Kreu i Gjykatës së Lartë: Reforma të guximshme, por ende larg besimit të plotë të publikut! Vettingu s'është certifikatë e përjetshme pastërtie. ILD, KLGJ e KLP...!

Kreu i Gjykatës së Lartë: Reforma të guximshme, por ende

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi thotë se ndonëse është ecur përpara dhe janë marrë reforma të guximshme për drejtësinë, ende jemi larg besimit të plotë të publikut, duke e cilësuar si "plagën më të madhe". Në një takim të nivelit të lartë me institucione të tjera të drejtësisë, Sadushi, tha se për të arritur besimin e publikut duhet të marrim më shumë përgjegjësi dhe se nuk është koha për lavdërime. 

"Projekti Enhancing Judicial Integrity in Albania vjen në një moment të rëndësishëm. Reforma në drejtësi është në një fazë delikate. Institucionet e drejtësisë janë funksionale, por nëse qytetari shqiptar nuk e ndien se gjykata është vendi ku merr drejtësi, atëherë e gjithë kjo mbetet e paplotë. Raportet e Komisionit Europian e thonë hapur: ka progres, por vetëm “progres i moderuar”. Ka institucione të reja, por ndikimi mbi drejtësinë mbetet shqetësim. Ka vendime, por cilësia dhe koherenca e tyre është ende e ndryshueshme.", tha ai.

Duke e cilësuar vettingun  si hap të guximshëm, Sadushi theksoi se nuk është një certifikatë e përjetshme pastërtie. Sipas tij, vettingu duhet të jetë pika e nisjes së një standarti të ti, ku gjyqtarë e prokurorë duhet të dëshmojnë çdo ditë me vendime dhe me sjellje e qëndrimë se janë të denjë për besimin që iu është dhënë. 

"Megjithatë, të gjithë e dimë se vetingu nuk është zgjidhja përfundimtare. Vetingu u mendua si një masë e jashtëzakonshme dhe si një mjet i përkohshëm. Nëse sistemi ynë do të mbetet peng i masave emergjente, atëherë nuk do të arrijmë kurrë të ndërtojmë një drejtësi që qëndron mbi themele të forta. Sfida jonë sot është të kalojmë nga instrumenti i jashtëzakonshëm tek mekanizmat e përhershëm, nga pastrimi i sistemit tek ndërtimi i tij, nga frika tek vetëdija, nga rregulli i imponuar tek kultura e brendshme. Vetëm kështu reforma nuk mbetet një episod, por bëhet trashëgimi, e cila ndërtohet mbi katër shtylla: llogaridhënie, paanësi, etikë dhe integritet. Këto nuk janë vetëm parime abstrakte, por themelet mbi të cilat ngrihet besimi i publikut tek drejtësia.", shtoi Sadushi. 

Gjyqësori, tha Sadushi, përballet ende me paragjykime të forta për ndikime të jashtme, vonesa apo mungesë qëndrueshmërie në vendime. Sadushi u shpreh gjithashtu se llogaridhënia duhet të jetë e para, dhe nëse gjykata nuk jep llogari për vendimet e saj, atëherë reforma do të mbetet e gjymtuar. Sipas tij, nëse drejtësia do të "mposhtet" nga presionet, atëherë nuk mund të quhet si e tillë. 

"Një nga problemet më të mëdha që ka mbërthyer sistemin e drejtësisë është konformizmi. Një drejtësi që pajtohet me çdo presion, që përshtatet me çdo rrethanë, nuk është drejtësi. Një gjyqësor konformist është një gjyqësor i dobët. Ne nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta, edhe kur ajo është e hidhur, sepse vetëm duke e thënë hapur, ne bëjmë hapin për ta ndryshuar.", tha Sadushi. 

Sadushi kritika: ILD s'duhet të jetë vetëm një organ ndëshkimi! KLGJ e KLP të marrin më shumë përgjegjësi

Kryetari  i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se sfidë e institucionit që ai drejton është që të shihet si një model që orienton të gjithë sistemin e drejtësisë, ndërsa shprehur kritika edhendaj Inspektoriatit të Lartë i Drejtësisë (ILD) , Këshillit i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).  

ILD, tha Sadushi, ka një organ të qartë si organ disiplinor, por nuk duhet të mbetet vetëm si një organ ndëshkimi. 

"Po aq i rëndësishëm është është roli i tij parandalues dhe edukues: të ofrojë udhëzime mbi standardet etike, të nxjerrë mësime nga praktika disiplinore dhe të krijojë hapësira reflektimi për gjyqtarët e rinj. Vetëm duke bashkuar ndëshkimin me parandalimin, disiplinën me edukimin, ky institucion mund të ndërtojë një kulturë të qëndrueshme përgjegjshmërie në gjyqësor dhe kontrolli të shndërrohet nga një instrument frike në një instrument besimi. ", tha ai.

Për KLGJ dhe KLP, Sadushi theksoi se këto organe duhet të marrin më shumë përgjegjësi si qeverisës të vërtetë të drejtësisë. Ai shprehu kritika për ritmin e ngadaltë që kanë ndjekur, duke kërkuar vendimmarrje më të shpejta dhe transparente. U ndal gjithashtu edhe te nevojat buxhetore, njerëzore dhe infrastrukturore, teksa tha se duhet të trajtohhen "si kërkesa kushtetuese e jo si çështje dytësore".

"Nuk i shmangen kritikës as Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Me shumicë magjistratë në përbërje, këto organe duhet të marrin më shumë përgjegjësi si qeverisës të vërtetë të drejtësisë. Ritmi i ngadaltë në procedurat e promovimit, ngritjes në detyrë dhe lëvizjes paralele ka sjellë pasiguri dhe pengesa në punën e gjykatave, ndaj kërkohet vendimmarrje më e shpejtë dhe transparente. Po aq e domosdoshme është ngritja e zërit për nevojat buxhetore, njerëzore dhe infrastrukturore, duke i imponuar këto si kërkesa kushtetuese e jo si çështje dytësore. Magjistratët që sot janë anëtarë të këshillave duhet të kujtojnë se nesër do të kthehen në pozicionet e tyre në gjykata e prokurori dhe do të jenë vetë ata që do të ndiejnë pasojat e një keqmenaxhimi apo mungese vizioni. Edhe anëtarët jomagjistratë, që mbajnë drejtimin e këshillave si kryetarë dhe zëvendëskryetarë, duhet të ushtrojnë lidership të vërtetë, me autoritet dhe integritet, për t’u përballur me pushtetet e tjera në emër të gjyqësorit. Vetëm duke treguar autoritet, vizion dhe koherencë, dy këshillat mund të fitojnë legjitimitet të plotë dhe të shihen si organe që qeverisin drejtësinë në interes të publikut dhe jo si struktura që humbasin besimin e kolegëve të tyre.", shtoi Sadushi.