TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama, teksa prezantoi ministren e re të Brendshme, Albana Koçiu, renditi edhe një listë të gjatë problematikash të institucionit, duke theksuar se ka qenë i prapambetur në shumë sektorë.
Mes tyre ai kujtoi problematikat edhe në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, edhe pse nënvizoi se ka pasur ndryshime ndër vite dhe pavarësi. Rama iu rikthye precedentit të drejtorit të AMP-së që ishte shkarkuar për ndërtim pa leje, por që u ndihmua nga një vendim gjykate. Rama deklaroi se nuk mund të ketë më drejtorë të tillë që janë falsifikatorë apo që bëjnë “çarçafin e babait”.
“AMP është strukturë e re, e ngritur për të mbikëqyrur Policinë e Shtetit, e pavarur nga ajo, vazhdimësi por me një sërë atributesh të reja të shërbimit të brendshëm deri para ca vitesh dhe që kërkon të shoqërohet në këtë proces dhe të udhëhiqet dhe t’i adresojë si duhet objektin e punës së vetë. Se nuk mund të kemi drejtues të AMP-së në territor që janë kryesisht ndërtues pa leje, e që mbrohen nën hijen e babait. E ka bërë ndërtimin babai, a thua se meqë është babai i drejtorit, është i amnistuar nga krimi i ndërtimit pa leje”, tha ai.
Dhe duke e vijuar më tej akuzën ndaj këtij rasti që e denoncoi vetë disa ditë më parë, shtoi:
“Drejtues falsifikatorë, që mbulojnë babain, ose më saktë që përdorin babain për mbulesë dhe bëjnë rolin e çarçafit duke deklaruar që ndërtimi është bërë më 2018. A thua se ndërtimi pa leje i 2018 e justifikon, ndërkohë që 2020 është viti i legalizimeve. Drejtues injorantë që nuk kupton se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. janë drejtues injorantë që nuk kuptojnë! Si mund të ulet një drejtues i tillë në raportin me ligjin e të mbikëqyri policinë, kur ky është falsifikator”.
Kryeministri foli edhe për vizat dhe lejet e punës, duke ritheksuar se edhe Ministria e Brendshme punon me orare të tjera nga Shqipëria.
Madje bëri ironi se për aplikimet për leje e viza pune, duhet një kohë e gjatë dhe burokraci, sikur të ishin dokumente të dikurshme të Portës së Lartë “të lidhura me spango”.
“Për lejet e vizat e punës, pasi të kemi mbaruar procesin, për 7 ditë që kërkon procesi i lejes së punës, e të vinte lajmi në ministri, ishte sikur ai legjislacion të ishte nisur me qëllim, me dokumente përkatëse të lidhura me spango si dikur, ishte nisur nga Kruja, për të shkuar në Portën e Lartë. Ku personazhe të çuditshëm në këtë strukturë vazhdonin me historira zvarritjesh si librat e Franc Kafkës. Ndaj kur them se MB jeton zonë tjetër oraresh, nuk e them kot, nëse ora tani është 13:30 e pasdites, për MB është 01:30 e natës, duhet të presësh darkën këtu që të presësh të zgjohen në Ministria e Brendshme”, tha Rama.