TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vijon procesi gjyqësor ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj. Në seancën e radhës ka dëshmuar Bujar Deliallisi, aktualisht zv.drejtor i Policisë në Durrës, i cili ka dhënë detaje për një nga operacionet ku ka marrë pjesë, kapjen e të shumëkërkuarit Ramazan Rraja.
Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Deliallisi deklaroi: “Në vitin 2019 kam qenë i punësuar në Policinë e Gjirokastrës, më pas në vitin 2023 kam qenë në Korçë deri në muajin mars. Prej marsit të këtij viti mbaj detyrën e zv.drejtorit të Policisë në Durrës.”
Ai shtoi se ka marrë pjesë në aksionin për arrestimin e Ramazan Rrajës.
“Ka pasur plan operacioni për ndërhyrjen. Aksioni është zhvilluar në zonën e Fushë-Krujës, pranë Urës së Gjolës,” tha Deliallisi.
I pyetur për zhvillimet gjatë aksionit, dëshmitari sqaroi: “Gjatë ndërhyrjes u konstatuan dy persona. Njëri prej tyre ishte Ramazan Rraja. Tek të dy u gjetën armë zjarri në brez, konkretisht pistoleta.”
Në këtë moment të seancës ndërhyri edhe i pandehuri Plarent Dervishaj, i cili kërkoi të dijë se nga kishte ardhur informacioni që çoi në identifikimin dhe kapjen e Rrajës, por dëshmitari nuk dha detaje lidhur me burimin.