AKTUALITET, 2 Gusht 2025, 20:32

Aksioni kombëtar për gjurmueshmërinë, bllokohen 94 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale

Aksioni kombëtar për gjurmueshmërinë, bllokohen 94 tonë

Aksioni kombëtar për formalizimin e tregut bujqësor dhe blegtoral ka sjellë bllokimin e 94 tonëve produkte gjatë kontrolleve të zhvilluara në disa qarqe të vendit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi se operacioni synon të garantojë që çdo mall të jetë i deklaruar dhe i gjurmueshëm, duke ndaluar tregtimin në shkelje të legjislacionit tatimor dhe duke mbrojtur prodhuesit e ndershëm.

“94 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale janë bllokuar gjatë kontrolleve në terren në kuadër të aksionit kombëtar për formalizimin dhe sigurimin e gjurmueshmërisë nga grumbulluesit, përpunuesit dhe tregjet me shumicë,” deklaroi Denaj.

Sipas saj, aksioni është pjesë e një fushate për rritjen e sigurisë ushqimore dhe eliminimin e praktikave të paligjshme që dëmtojnë si bujqit ashtu edhe konsumatorët.

Fushata, e nisur më 14 korrik në Tiranë nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë, është shtrirë tashmë edhe në qarqe të tjera. Kontrollet po kryhen me bazë risku për të përmirësuar gjurmueshmërinë dhe për të forcuar standardet e tregut ushqimor në vend.