TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në draftin e propozuar të Kodit të ri Penal, mbrojtja e shëndetit publik zë një vend qendror, me dënime shumë më të ashpra për veprat që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Sipas nenit 441, shkaktimi i një epidemie përmes shpërndarjes së baktereve apo viruseve patogjenë, nëse kryhet me dashje, do të dënohet me jo më pak se 25 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Në rastet kur kjo vepër kryhet nga pakujdesia, dënimi do të variojë nga 10 deri në 20 vjet burgim.
Kodi i ri parashikon gjithashtu masa të posaçme për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse. Neni 442 përcakton se përhapja me qëllim e një sëmundjeje infektive me rrezikshmëri të lartë do të dënohet me 2 deri në 5 vjet burgim. Nëse veprimi shkakton pasoja të rënda për shëndetin ose rrezik për jetën e njerëzve, dënimi mund të shkojë nga 3 deri në 8 vjet.
Projektligji prek edhe përgjegjësinë e zyrtarëve publikë. Mosraportimi i shenjave të një sëmundjeje infektive apo pandemike nga ata që kanë detyrim ligjor për ta bërë këtë do të konsiderohet kundërvajtje penale dhe do të ndëshkohet me gjobë.
Në nenin 445, drafti parashikon dënime për mosrespektimin e masave parandaluese gjatë situatave të jashtëzakonshme. Shkelja e urdhrave për karantinë, dezinfektim, ekzaminime apo masa të tjera për ndalimin e përhapjes së një sëmundjeje ngjitëse do të dënohet me gjobë ose me deri në 3 vjet burgim.
Rregullime të forta janë parashikuar edhe për tregun farmaceutik. Tregtimi i barnave të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën do të dënohet me 4 deri në 8 vjet burgim, ndërsa mashtrimi në përmbajtje, përbërje apo dokumentacion të produkteve mjekësore do të sjellë dënime që variojnë nga 2 deri në 8 vjet.