AKTUALITET, 5 Mars 2018, 13:28

613 kg kokainë, Basha implikon Olsi Ramën për ngarkesën

613 kg kokainë,  Basha implikon Olsi Ramën për ngarkesën

Kryetari PD, Lulzim Basha akuzoi sot nga foltorja e Kuvendit, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Xhafaj si të implikuar në sasinë prej 613 kg kokainë që u bllokua në Durrës pak ditë më parë.

Basha mori shkas nga të dhënat në Facebook të shoferit Armando Pezaku, që është arrestuar nga policia dhe që kishte shkruar si profesion se “i çoj miell partizanëve”.

“Kush janë partizanët? E ka fjalën për pasardhësit? Apo për një klub futbolli ku është drejtor vëllai i kryeministrit? Fakt është që në çdo portal qeveritar u hoq ky titull që përmendej shoferi që çonte miell tek partizanët. Shiheni se si u hoqën këto fjalë nga portalet qeveritare” u shpreh Lulzim Basha në parlament.

Kreu i PD-së tha se në Shqipëri ekzistojnë tre laboratorë të kokainës që do të përpunonin kokainën e pastër që erdhi nga Kolumbia. Sipas Bashës, trafikantët kanë pasur garanci politike për të sjellë një sasi të tillë kokaine në Shqipëri.

“Arbër Çekaj u largua në 27 shkurt, 24 orë para se të kapej kokaina në Maminas. U largua pasi mbylli niptin gjyqësor të magazinës” u shpreh Basha duke lënë të kuptohet se operacioni u dekonspirua.

“Edi Rama e nisi me marijuanën dhe vijoi me kokainën. Opozita ka paralajmëruar se ka tre laboratorë të përpunimit të kokainës, dhe ja ku erdhi droga. Cilat janë faktet që Rama, Xhafaj dhe të tjerë aksionarë të kokainës mundohen ti fshehin?

Policia deklaroi se kokaina kishte vlerë 180 mln euro, kontenieri qëndroi prej datës 19 shkurt në Durrës në pritje të zhdoganimit.

Një kërkim i thjeshtë se janë bërë 97 rrugë në Kolumbi. 613 kg nuk janë të Arbrit. Partnerët kishin informuar për të shkuarën kriminale të Çekajt.

Një nga të arrestuarit, shoferi në faqen në Facebook shkruan se ‘transportoj miell për partizanët’. Kush janë partizanët e vërtetë, kush e financoi këtë operacion? Kush garantoi siguri?

Reagimi i parë i Xhafës ishte përgëzimi i policisë dhe partnerëve, Rama tha dicka krejt të kundërt, tha se operacioni u krye vetëm nga pala shqiptare. Në mbrëmje Xhafaj i ra hasha deklaratës së mëngjesit. Bëhet fjalë për kokainë shumë të pastër që duhet prerë me të paktën 6 herë, do të shkonte në laborator në Shqipëri.

Është fakt, që për çdo ngarkesë që kapet, 10 kalojnë. Sa herë janë kontrolluar ngarkesat e mëparshme të kompanisë? Pse pronari e la më shumë se një javë në port, duke ditur ngarkesën.

Pronari i kompanisë është sinjalizuar prej vitesh te autoritetet shqiptare si i dyshuar dhe përfitues i trafikut të kokainës, pse Rama mohoi bashkëpunimin me partnerët. Linja e drogës funksionin që nga ardhja në pushtet e Ramës. Kokaina u kap vetëm pasi Ramës ia futën ndërkombëtarët këmbët në një këpucë.

Kapet shoferi dhe hamalli, ata që mund të tregojnë bosët, ia mbathin dhe shoferi thotë malli është i partizanëve. Nuk e di nëse e ka fjalën për pasardhësit e komunistëve, apo ndonjë ekip futbolli me vëllanë e kryeministrit" tha ai.