AKTUALITET, 20 Dhjetor 2017, 20:01

610 shqiptarë përfituan azil në Francë në vitin 2016, ja kushtet që ata plotësonin

610 shqiptarë përfituan azil në Francë në vitin 2016,

Ministri i Brendshëm i Francës, Zherar Kolomb, gjatë një interviste për televizionin “RTL”, duke trajtuar temën e azilkërkuesve tha se, gjatë vitit 2016 e kishin përfituar të drejtën e Azilit 610 shqiptarë.

Sipas gazetës franceze “Liberation”, midis emigrantëve të shumtë shqiptarë të pranishëm në territorin francez – 7432 dosje kandidatësh u depozituan në vitin 2016 -  disa prej tyre përfituan statusin e refugjatit: ishin 610 në vitin 2016, sipas “Opfra”(Zyra Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve). Shteti i tyre bën pjesën në “vende origjine të sigurt”, dhe jo nga “fushat e luftës”, prandaj vetëm disa prej tyre u vendosën nën mbrojtjen kombëtare. Në pjesën më të madhe të rasteve të vitit 2016, ata i morën pasi bënin pjesë si objekte të gjakmarrjes në vendet e origjinës.

“Kemi 95 mijë kërkesa për azil në një vit, kjo do të thotë një qytet të madh çdo vit. Nuk mund të presim këdo që kërkon azil”, tha Kolomb për RTL, disa ditë pas kthimit nga vizita e tij dy ditore në Shqipëri

Ai tha se, duhet bërë një reformë e politikës së emigrimit, për të dalluar qartësisht “emigrantët ekonomikë” nga “refugjatët e luftës”, duke propozuar dy linja: “pritjen më të mirë për refugjatët politikë” dhe “mbylljen përballë emigracionit ekonomik”

/TPZ.AL/