Lidhur me këto arrestime, gazetarja Klodiana Lala listoi disa dosje hetimesh për News24.
“Është dosja Tahiri, është dosja Habilaj, është një ish-deputet i një force politike por emrin mos më kërkoni ta bëj publik, s’e bëj dot për shkak se është duke u hetuar”, tha Lala ndërsa shtoi se mbetet për t’u parë se çfarë do bëjë kryeprokurorja e re Arta Marku, nëse do i mbrojë prokurorët e saj të bëjnë punën apo do stepet përballë politikës dhe do nisë transferimet e prokurorëve të cilët kësisoj nuk do mund të kenë në dorë më, dosjet që kanë.
“Mbetet për t’u parë nëse do tentojë t’i vërë prangat një politikani të rëndësishëm dhe unë e mirëpres”, tha Lala për kryeprokuroren ndërsa shtoi se klima në të cilën vjen Arta Marku është vërtet e tensionuar.
Nga ana tjetër, gazetarja hodhi edhe teorinë se Arta Marku në fakt mund të jetë edhe kryeprokurore e përgjithshme për 7 vjet. Këtë e mbështeti në atë se çfarë ka dëgjuar të thuhet në korridoret e Prokurorisë.
“Ka një skepticizëm në rradhët e prokurorëve nëse Arta Marku do jetë kryeprokurore e përkohshme apo 7 vite në detyrë, shumë prej tyre kanë dyshime se do rrijë 7 vite, pasi në një të ardhme të shpejtë mund të marrë dakortësinë e opozitës, kjo thuhet në korridoret e prokurorisë. Ka nga ata që edhe kanë qenë në një shkollë me zonjën Marku, një prej shokëve të grupit më tha që është një grua që ka mbaruar mirë magjistraturën”, tha Lala duke shtuar se frika më e madhe e saj është mënyra se sa i hapur do jetë organi i akuzës në mënyrën se si do veprojë për çështjet me interes të lartë publikë.