TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu gjatë natës një sipërfaqe me pyje dhe shkurre mes fshatrave “Andon Poçi” dhe Hundëkuq në Gjirokastër, duke rrezikuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Alarmi u dha në orën 22:38 nga një qytetar, ndërsa në terren u nisën fillimisht dy grupe zjarrfikëse. Me mbërritjen në zonë, u konstatua se zjarri ishte përhapur në tre vatra aktive, në dy kodra të ndryshme, duke e bërë situatën veçanërisht të vështirë.
Terreni malor dhe i thyer, i mbuluar me shkurre dhe bimësi të dendur, e bëri të pamundur ndërhyrjen me automjete zjarrfikëse. Për përballimin e situatës u angazhua i gjithë efektivi i MZSH-së Gjirokastër, ndërsa puna u përqendrua në frenimin e avancimit të flakëve drejt fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq.
Përballja me zjarrin zgjati rreth shtatë orë. Pas ndërhyrjes gjatë gjithë natës, vatrat u shuan plotësisht rreth orës 05:30 të mëngjesit.
Nga të dhënat e deritanishme nuk raportohen dëme në banesa apo persona të lënduar.