AKTUALITET, 8 August 2026, 22:26

Alarm në Krujë/ Intensifikohet zjarri, urdhërohet evakuimi i banorëve të Llubanit dhe Barabit

Situata paraqitet tejet dramatike në Krujë, ku flakët e zjarrit po përhapen me shpejtësi në drejtim të zonave të banuara, duke rrezikuar seriozisht banesat dhe qytetarët.

Sipas raportimeve të qytetarëve, zjarri ka dalë jashtë kontrollit në disa zona, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe banesa. Banorët raportojnë për një situatë të rëndë, ndërsa frika është shtuar teksa zjarri vijon të afrohet me zonat e banuara.

“Po digjet qyteti!”, ishte thirrja dëshpëruese e një qytetari, duke përshkruar situatën alarmante në terren.

Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni i vështirë, po përparojnë drejt banesave, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll situatën.

Banorët kanë kërkuar ndërhyrje urgjente, ndërsa në zonat e rrezikuara është përhapur paniku për shkak të afërsisë së flakëve me banesat.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje për evakuimin e zonave të Barabit dhe Llubanë, si masë për garantimin e sigurisë së banorëve përballë përhapjes së zjarrit.