AKTUALITET, 8 August 2026, 22:33

Megaoperacion në Palasë/ Pas 2 vitesh në kërkim për inceneratorin e Tiranës, arrestohet Renardo Nallbani

Policia e Vlorës ka zhvilluar një megaoperacion gjatë ditës në zonën e Palasës, ku ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar.

Forca të shumta policore kanë rrethuar një vilë në zonën bregdetare të Palasës, duke bërë të mundur arrestimin e Renardo Nallbanit.

Nallbani ishte shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që prej vitit 2024, në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda penale, të parashikuara nga Kodi Penal, përfshirë:

  • “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
  • “Grup i strukturuar kriminal”;
  • “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Operacioni është zhvilluar në fshehtësi dhe nën masa të rrepta sigurie, ndërsa Policia e Vlorës pritet të japë detaje të tjera lidhur me vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale pas arrestimit.

Arrestimi i Nallbanit përbën një zhvillim të ri në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorit të Tiranës, për të cilën ai ishte shpallur në kërkim prej vitit 2024.