AKTUALITET, 9 August 2026, 10:19

Zjarri në Malin e Krujës vihet nën kontroll, Ministria e Mbrojtjes: U shkrumbua vetëm një magazinë, s’ka të lënduar

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se zjarri masiv në Malin e Krujës është vendosur plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit.

Sipas autoriteteve, situata në terren është aktualisht e qetë, ndërsa një vatër e mbetur në pjesën e sipërme të malit po menaxhohet nga ajri, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.

Në njoftim deklarohet se aktualisht ka mbetur vetëm një vatër aktive, e cila po monitorohet nga ajri.

Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe më shumë se 200 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur nga zjarri.

 

Nga zjarri rezulton të jetë shkrumbuar vetëm një godinë, konkretisht një magazinë në pronësi të një biznesi. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar dhe asnjë banesë nuk është përfshirë nga flakët.

Njoftimi

Zjarri në Krujë u dominua plotësisht! Që prej orës 06:00 të mëngjesit, është vendosur plotësisht nën kontroll, falë angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave operacionale.

Një pjesë e mbetur në majë të malit po menaxhohet nga ajri me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.

Situata është krejtësisht e qetë dhe fatmirësisht një katastrofë e mundshme u parandalua falë angazhimit në terren të mbi 200 efektivëve zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura – të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur.

Pjesa më e madhe e këtyre forcave tashmë janë rishpërndarë.

Vetëm një godinë rezulton e shkrumbuar nga zjarri (magazinë e një biznesi). Fatmirësisht, nuk ka asnjë jetë të cenuar dhe asnjë banesë të djegur.

Falënderim dhe mirënjohje pa kufij për përshkushtimin dhe sakrificën e veçantë të secilit prej efektivëve të forcave operacionale që luftuan në mënyrë të paepur për shuarjen e zjarrit masiv në Malin e Krujës.