AKTUALITET, 8 August 2026, 21:41

Zjarri në Krujë, arrestohet autori! Lamallari: Do të përballet me pasojat ligjore!

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka qenë sot pasdite në Krujë, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga zjarri.

Në një reagim për situatën, Lamallari bëri të ditur se zjarri është shkaktuar nga dora e njeriut dhe se Policia e Shtetit ka arrestuar autorin e dyshuar.

“Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale”, shkruan ministri Lamallari.

Në reagimin e tij, ministri thekson se personi i arrestuar do të përballet me pasojat ligjore për veprën penale, ndërsa strukturat policore vijojnë të jenë të angazhuara në terren për garantimin e sigurisë së banorëve.

“Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut”, shprehet Lamallari.

Sipas ministrit, pas kërkesës së pushtetit vendor, Policia e Shtetit ka marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodhen në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.

“Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut”, deklaron ministri i Brendshëm.

Operacioni në Krujë po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit, me angazhimin e forcave tokësore dhe mbështetjen nga ajri.

Strukturat zjarrfikëse dhe ato të emergjencave vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.