TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Teksa vijojnë kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko, dalin në dritë detaje të reja nga momentet e para pas ngjarjes së rëndë në Korçë.
20-vjeçari është vrarë teksa po ngjiste shkallët e një pallati, në përpjekje për t’u shpëtuar autorit të dyshuar. Ngjarja ka ndodhur në katin e tretë të godinës, ndërsa në vendin e ngjarjes është konstatuar gjak i viktimës, përpara banesës së një prej banoreve.
Dëshmitarja Kozeta Shakla ka rrëfyer momentet kur ka dëgjuar zhurmën dhe ka dalë nga banesa për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ajo tregon se fillimisht mendoi se dikush mund të ishte rrëzuar nga shkallët.

Dëshmia e plotë e Kozeta Shaklës
“Çfarë të tregoj? Unë isha brenda në shtëpi. Dhe për një moment dëgjova një zhurmë të madhe sikur plasi diçka. Dhe unë i thashë mamit, se isha vetëm me mamin, do dal që ta shikoj çfarë po bëhet. Thashë mos ra ndonjë njeri nga shkallët dhe që t’i ndihmoja.
Dhe sa dola këtu, kur ajo gruaja e katit të tretë, se te dera e saj ishte bërë, ajo thërriste me të madhe: ‘Aman, të lutem lajmëroni policinë, ambulancën’. Ngjitem unë me vrap të shikoj një njeri të shtrirë poshtë në tokë, barkas. Dhe unë thashë mos ishte fëmija i saj.
Edhe i thashë: ‘Çfarë po bëhet kështu?’. ‘Ku di unë’, tha, ‘lajmëro njëherë’. Pastaj mora ambulancën. Nuk e mblidhnim dot veten fare. Zbrita me vrap se më thonin këta të ambulancës: ‘Ku e keni vendin, ku e keni vendin’. Pashë djalin aty, njeri dy metra djalë, të shtrirë poshtë, të gjakosur, po i rridhte pastaj gjaku nga koka. Edhe nuk e di. Pastaj erdhi policia, ikëm me ata.
Sapo dola unë, u ngjita direkt lart se unë thashë: ‘Mbaje me duar atje’, se thashë mos është ndonjë njeri, është përplasur ndonjë gjë e mund të ngjitesh edhe lart. Mbaje, nuk di se çfarë të marr, policinë. Kur vajta atje e shikoj, ishte tmerr.
Nuk e njohim fare. Nuk është i pallatit tonë. Nuk e njohim fare. Nuk e di as ku banon, as ku, nuk e di. Thjesht e pashë atje. Unë doja ta zija me duar se thashë: ‘Çfarë po bëhet këtu?’. Ajo tha lere, dhe me dy policët, kur pastaj pashë që po i rridhte gjaku nga koka… shumë e tronditur. Tmerr! Tmerr! Tmerr, nuk e di, nuk e di. Dola dhe jashtë që mora ambulancën se nuk e ditën vendin tamam.
Një tronditje e madhe, është tmerr i Zotit. Ne këtu na lozin fëmijët. Përditë ngjitur, ja, do ishte një njeri në shkallë, nuk e kuptoj çfarë po bëhet. Nuk e di… Erdhi policia që në fillim fare. Biles kaloi nga andej dhe dola që e mora që u ngjitën këtu. Pastaj erdhën tre të tjerë, pastaj më vonë erdhi ambulanca, se varet cilën morëm ne se ne patëm shok.
Në momentin që vajta unë, po i rridhte gjaku nga koka dhe nuk e harroj dot. Nuk e di, nuk e preka me dorë. Nuk e preka me dorë. Nuk e di.”
Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të shtunë, 8 gusht, në lagjen 14 të Korçës.
Të dhënat e para bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar ishin shokë dhe janë rritur së bashku.
Dyshohet se autori e ka ndjekur 20-vjeçarin deri në lagjen ku ndodhi ngjarja. Viktima, i cili nuk ishte banor i zonës, mësohet se ka tentuar të fshihet brenda një pallati, por autori dyshohet se e ka ndjekur dhe e ka qëlluar për vdekje brenda godinës.
Autori i dyshuar ka precedentë penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.
Ndërkohë, vijojnë kërkimet e forcave të policisë për lokalizimin dhe kapjen e tij.