AKTUALITET, 8 August 2026, 20:56

Dita e 70-të e protestës/ Aktivistja Kokaj: Ja çfarë kemi arritur në këto 70 ditë

Ka nisur dita e 70-të e protestës së qytetarëve para Kryeministrisë, ku protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për cenimin e zonave të mbrojtura dhe për klientelizëm lidhur me ligjin për investitorët strategjikë.

Nga protesta, aktivistja Luçjana Kokaj deklaroi se qëndresa qytetare prej 70 ditësh ka arritur të thyejë frikën dhe të bashkojë qytetarët rreth kërkesës për ndryshim politik.

“Të gjithë pyesin: çfarë ka arritur protesta? Kemi arritur shumë; kemi vrarë frikën për 70 ditë”, u shpreh Kokaj.

Ajo tha se protesta ka arritur të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe se qytetarët kanë përcjellë zërin e tyre pa pasur nevojë për burime financiare.

“Kemi arritur që të jemi në artikujt e mediave botërore. Nëse qeveria është paguar me mln euro me taksat tona, ne kemi bërë me zërin e të vërtetës tonë”, deklaroi aktivistja.

Kokaj theksoi se Shqipëria ka nevojë për kurajën dhe angazhimin e qytetarëve për të ecur drejt Bashkimit Evropian.

“Shqipëria ka nevojë për shpirtin, kurajon tuaj, për të shkuar në BE. Ndaj nuk na duhet kjo qeveri e korruptuar. Do të bëjmë revolucion”, tha ajo.

Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, Kokaj deklaroi se protestuesit nuk do të tërhiqen nga qëndresa.

“E vetmja besë që do të marrësh nga ne, zoti Kryeministër, është që nuk largohemi pa ikur ti”, u shpreh ajo.

Në fund, aktivistja iu drejtua veçanërisht të rinjve shqiptarë, duke theksuar se vendi ka potencial për ndryshim.

“Jeni shumë ju që mund të jeni në vend të tij. Rinia shqiptare mund të bëjë shumë më shumë se ç’kanë bërë këta kriminelë”, deklaroi Kokaj.