AKTUALITET, 6 Shkurt 2018, 22:48

Zgjedhjet në FSHF, ja çfarë pritet të ndodhë nesër në Hotel "Adriatik"

Zgjedhjet në FSHF, ja çfarë pritet të ndodhë

Ditën e mërkurë do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku do të votohet për presidentin e ri të kësaj organizate. Në këto zgjedhje ka tre kandidatë, megjithëse është e qartë se gara është mes presidentit aktual, Armand Duka dhe deputetit të Partisë Socialiste, Bashkim Fino. Asambleja do të mbahet në hotel "Adriatik", në Durrës. Punimet e asamblesë do të fillojnë në orën 09:00 dhe pritet të transmetohen live.

Këto zgjedhje kanë tërhequr vëmendjen e publikut, kryesisht për shkak të akuzave dhe kundër akuzave mes kandidatëve. Të dyja palët kanë hedhur akuza se zgjedhjet po manipulohen. Deputeti Fino, pretendon se lista e votuesve është e përpiluar në mënyrë të paligjshme nga presidenti aktual dhe se në zgjedhje do të votojnë shoqata të paregjistruara. Nga ana tjetër, Armand Duka pretendon se kundërshtari po përdor persona të inkriminuar, për të ushtruar presion mbi votuesit. Duka ka deklaruar në emisionin "Të Paekspozuarit", se Fino ka aktivizuar kriminelë, emrat e të cilëve ka frikë ti artikulojë. Duka pretendon gjithashtu se qeveria është investuar në ndihmë të kandidatit Fino dhe disa ministra kanë punuar në mënyrë aktive për të ndihmuar këtë kandidat.

Kush voton?

Në zgjedhjet për presidentin e ri, pritet të ketë 65 votues. Votuesit janë përfaqësuesit e klubeve të futbollit dhe 12 shoqata.  Kjo ka qenë një pikë e nxehtë e debateve të zhvilluara mes kandidatëve, sepse deputeti Fino, pretendon se 12 prej votuesve, që janë shoqata, nuk duhet të kenë të drejtë vote, për shkak se nuk janë të regjistruara në gjykatë. Fino ka deklaruar në emisionin "Të Paekspozuarit", se nuk do të pranojë rezultatin nëse këto shoqata do të lejohen të votojnë.

Ndërhyrja e politikës

Akuza më e rëndë që ka shenjuar këto zgjedhje, është se politika ka shtrirë tentakulat e saj, në një përpjekje për të rrëmbyer këtë organizatë. Përfaqësues të UEFA-s, konkretisht zëvendës presidenti, Grigoris Surkis, ka vizituar Tiranën, në një përpjekje për t'i bërë thirrje politikës, të qëndrojë larg futbollit. Surkis ka zhvilluar një takim me kryeministrin Rama dhe në një dalje për mediat, ka folur për ndërhyrjen e mundshme të palëve të treta, në zgjedhje.

Gjatë mbrëmjes së sotme, vetëm pak orë përpara zgjedhjeve, kandidatët kanë organizuar darka paralele. Fillimisht ishte Duka që lajmëroi një darkë me anëtarët e asamblesë, në hotelin ku do të mbahen zgjedhjet. Nga ana tjetër, Bashkim Fino, ka organizuar një darkë me kryetarët e bashkive të fituara nga Partia Socialiste. Në darkë marrin pjesë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe presidenti i klubit të Partizanit, Gaz Demi.

Gara është mjaft e fortë dhe dita e nesërme pritet të jetë mjaft e tensionuar.

VIDEO (batutat dhe debatet më pikante gjatë përballjes së dy kandidatëve në emisionin "Të Paekspozuarit"

/TPZ.AL/