AKTUALITET, 6 Shkurt 2018, 22:09

Albcontrol shpërdoron 166 milion lekë, për një kurs anglishte 5-ditor për 40 punonjës

Shoqëria shtetërore që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore shqiptare, Albcontrol, vijon të jetë jashtë kontrollit për shkak të shpërdorimit të fondeve publike. Marrëzia e fundit e këtij institucioni të drejtuar nga Belinda Balluku, është një tender prej 166 milionë lekë, për të mësuar gjuhën angleze, 40 punonjës.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, ku janë detajuar të gjitha specifikimet teknike. Në to thuhet se është kërkuar të bëhet tenderi me objekt kurs trajnimi specifik për AIS, si dhe trainimi i personelit teknik anglisht ATSEP, niveli 3. Fondi është plot 166.666.666 lekë të vjetra, ndërsa kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 9 muaj.

Ky është një skandal që kapërcen edhe kufijtë e imagjinatës, pasi punonjësit që rekrutohen tek Albcontrol, kanë paga tepër të majme dhe për rrjedhojë duhet të njohin në mënyrë të shkëlqyer gjuhën angleze.

Tpz.al ka siguruar edhe specifikimet teknike të këtij tenderi. Në to thuhet se ALBCONTROL SH.A. kërkon kryerjen e kursit të gjuhës angleze të aviacionit për personelin ATSEP dhe për personelin Specialist të AIS-it. Mësohet se pjesëmarrësit në këtë kurs janë personel i ALBCONTROL SH.A, ku numri i pjesëmarrësve në ATSEP është 22 dhe numri i pjesëmarrësve specialist të AIS është 18 specialistë.

Mësohet se kursi do të jetë 5 ditë pune, e njëjtë për të gjithë kandidatët. Kursi do të zhvillohet nё 2 grupe, me nga 11 specialistë dhe tre grupe të tjera me nga nga 6 specialistë në grup. Periudha e përshtatshme për zhvillimin e kursit është mars – qershor 2018, ndërsa orari i përshtatshëm për zhvillimin e kursit është 09:00 AM – 17:00 PM. Kërkohen lektorë që të kenë të kenë gjuhën angleze gjuhë amtare, dhe/ose të demonstrojnë nivel të lartë të gjuhës angleze (ICAO Niveli 5 ose ekuivalent).

“Qëllimi i trajnimit intensiv të gjuhës Angleze është të sigurojë që pjesëmarrësit të arrijnë nivelin e kërkuar të aftësisë në gjuhën Angleze, minimalisht Nivelin 3 të ICAO. Kursi intensiv i trajnimit duhet të përqëndrohet mbi të gjitha fushat e nevojshme për arritjen e nivelit të aftësisë dhe duhet të fokusohet në aftësinë e komunikimit, aftësinë e leximit, aftësinë e pronuncimit dhe aftësinë e shkrimit." - thuhet në dokumenta.

Albcontrol thotë se nga ana pedagogjike, kursi duhet të bazohet mbi principin e riciklimit, që do të thotë temat dhe fushat e prekura duhen përsëritur disa herë gjatë kursit për të garantuar përvetësim sa më të mirë të njohurive.

Në dokumente citohet se për pjesёmarrёsit që dështojnë në testin përfundimtar duhet të krijohet mundësia e ribërjes së testimit. Për pjesёmarrёsit që dështojnë edhe në testimin e dytë duhet të lëshohet vetëm një çertifikatë pjesëmarrje në kursin e trajnimit.

Pak kohë më parë, Tpz.al denoncoi sesi Albcontrol, u përfshi në një tjetër skandal në lidhje me përdorimin e fondeve, pasi akordoi 66 milionë lekë për të trajnuar vetëm dy studentë./TPZ.AL/E.H/

Më poshtë njoftimi i tenderit: