AKTUALITET, 1 Maj 2018, 13:53

Xhafaj rikujton peshqit e mëdhenj nga Korça: Rrjeta e tyre janë Policia, Prokuroria dhe Gjykata

Xhafaj rikujton peshqit e mëdhenj nga Korça: Rrjeta e tyre janë

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka qenë i pranishëm ditën e sotme në Korçë ku është organizuar ‘Forumi qytetar për Sigurinë Publike’. Ministri Fatmir Xhafaj iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga banorët e zonës. Ai është ndalur edhe tek lufta kundër krimit të organizuar, ku theksoi se shumë çështje nën hetim kanë avancuar.

Krimi i organizuar cënon sigurinë kombëtare, pronën dhe jetën, cënon, pengon zhvillimin ekonomik, jetën sociale të shoqërisë edhe imazhin e vendit. Ne jemi fort të angazhuar. Kemi ndërmarrë një operacion shumë konkret, operacionin “Forca e Ligjit”. Kemi evidentuar grupet kriminale që veprojnë në territor, brenda dhe jashtë territorit të vendit. Kemi goditur një pjesë të tyre. Kemi një sërë hetimesh të rëndësishme me Task Forcat që janë në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit”, në bashkëpunim me Prokurorinë, për të goditur shumë shpejt një pjesë të këtyre grupeve kriminale. Këto Agjenci të rëndësishme ligjzbatuese si Policia, Prokuroria e Gjykata që jep drejtësi, nëse janë misione të ndershme e të afta profesionalisht, nuk korruptohen nga politika dhe zyrtarët e shtetit. Dhe kjo është pikërisht ajo që do çojë në pritshmërinë e lartë për t’u dhënë më pas ndëshkimin e duhur gjithë zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin – ose siç i quani ndryshe ju me të drejtë ‘peshqit e mëdhenj’. Sepse që ‘peshku i madh” të përfundojë aty ku duhet, duhet të ketë rrjetë, dhe rrjeta janë Policia – Prokuroria – Gjykata. Pa këto të treja nuk është e mundur. Pasi nëse njëra prej tyre nuk funksionon, nuk funksionon i gjithë sistemi”, – tha Xhafaj.