AKTUALITET, 24 Dhjetor 2017, 10:21

Vota në OKB, Haradinaj deklaron se Kosova do të ishte pro SHBA

Vota në OKB, Haradinaj deklaron se Kosova do të ishte pro SHBA

Pas deklaratave pa ekuivok të presidentit Hashim Thaçi, edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaron se vota e Kosovës në OKB për Jerusalemin do të ishte në një linjë me SHBA-të.

“Ashtu si ka votuar presidenti Trump, ashtu do të votonte edhe ambasadori i Kosovës në OKB”, deklaroi Haradinaj në pyetjen se si do të votonte ambasadori i Kosovës në OKB, për rastin e Jerusalemit, pasi që Shqipëria votoi kundër.

“Nëse më dëgjon ambasadori i Kosovës, në politikë të jashtme ne e përcjellim Amerikën”, tha Haradinaj për RTK.

Këtë muaj, Presidenti amerikan Donald Trump, njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Por, kjo deklaratë u kundërshtua nga shumica e shteteve në OKB, përfshirë edhe Shqipërinë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se “nuk e komentoj vendimin e shtetit shqiptar”, por nga ana tjetër evokoi kujtime nga lufta e fundit kur shteti dhe lobi izraelitë kishin ndihmuar çlirimin e Kosovës.

Pa kësaj deklarate të Haradinajt duket se gjithë faktori politik mbarëshqiptar dënon vendimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për tu rreshtuar në OKB kundër SHBA-ve.