TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nisur nga prania e të fëmijëve në protestë, të cilët janë përfshirë edhe në akte dhune, Ministria e Arsimit dhe Policia e Shtetit u kanë bërë thirrje prindërve të kujdesen për fëmijët e tyre dhe t'i mbajnë larg përplasjeve të dhunshme në Tiranë.
Me një thirrje iu drejtua ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro të gjithë nxënësve dhe prindërve që të distancohen nga aktet e dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin. Kumbaro thotë se në shumë shkolla mësimi vijon dhe shton se nuk janë as nxënësit e as studentët ata që shkatërrojnë për disa duar të zeza.
“Të mos lejojmë që fëmijët tanë të përdoren për qëllime të errëta të duarve të liga që kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë. Nuk janë studentët, nuk janë nxënësit ata që shkatërrojnë. Nuk janë nxënësit, nuk janë studentët ata që thyejnë bizneset me të cilat mbahen mijëra familje”, thotë Kumbaro.
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me pjesëmarrjen e të miturve në protestat e ditëve të fundit.
Ajo u bën thirrje prindërve të tregojnë kujdes dhe të mos lejojnë që fëmijët të ekspozohen ndaj dhunës.
Sipas Policisë, një numër i konsiderueshëm të miturish janë përfshirë në protesta. Në disa raste, ata janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, mes sendeve të forta të hedhura dhe gazit lotsjellës.
Policia shpreh gjithashtu shqetësimin për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në përplasje për qëllime të caktuara. Blutë paralajmërojnë se çdo rast i dyshuar i nxitjes apo shfrytëzimit të fëmijëve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente.
Në deklaratë, Policia u bën apel prindërve të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve, veçanërisht kur ata mungojnë në shkollë.
Sipas Policisë, ka dyshime se të miturit po përdoren në vijën e parë të përplasjeve, ndërsa paralajmëron se çdo rast i shfrytëzimit të tyre për akte të paligjshme do t'u referohet institucioneve përgjegjëse.
“Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet. Asnjë fëmijë nuk duhet të gjendet mes gurëve, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës”, tha Policia.
Policia thekson se respekton të drejtën për protestë paqësore, por paralajmëron se do të marrë masat e nevojshme dhe proporcionale për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së të miturve.
Në fund, u bën thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, si dhe të shmangin aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.