AKTUALITET, 30 Dhjetor 2018, 09:21

VIDEO+FOTO/Protestuesit ‘pushtojnë’ Beogradin: Vuçiç je hajdut dhe autokrat!

Vijojnë protestat në Serbi kundër presidentit Aleksandër Vuçiç ku mijëra pjesëmarrës pushtuan rrugët e Beogradit duke thirrur “Vuçiç je hajdut”.

Mijërat protestues marshuan paqësisht përmes qendrës së qytetit.

Ata kërkuan liri të mediave, fund sulmeve ndaj gazetarëve dhe politikanëve opozitarë.

Përkrahësit e Aleancës për Serbinë, një grup opozitar i përbërë nga 30 parti dhe organizata, thonë se Vuçiç është një autokrat dhe partia e tij është e korruptuar, diçka që liderët e saj e mohojnë kategorikisht.

Në një intervistë në televizionin pro-qeveritar “Studio B TV” gjatë protestës, Vuçiç tha se ishte i gatshëm të diskutonte kërkesat e opozitës.

“Jam i gatshëm të shikoj se çfarë e shkakton pakënaqësinë tek populli”, – tha ai, pasi u brohorit nga disa protestues teksa po hynte në ndërtesën e televizionit.

Vuçiç më herët ka deklaruar se ishte i gatshëm të testonte popullaritetin e partisë së tij në zgjedhje të parakohshme, por Vuk Jeremiç, ish-ministër i Jashtëm dhe kryetar i partisë së vogël Partia e Popullit, pjesë e aleancës, thotë se opozita do të bojkotonte çdo zgjedhje.

“Nuk do të ketë zgjedhje legjitime në Serbi me pjesëmarrjen e opozitës derisa të krijohen kushtet normale për zgjedhje dhe për jetesë”, – ka thënë ai.

Kujtojmë se këto protesta në Serbi zhvillohen në një kohë kur marrëdhëniet e saj me Kosovën janë mjaft të tensionuar për shkak të vendosjes së taksës 100% si edhe për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.